zoom

Politikë

“Burgjet mbushen nga hallexhinjtë, por kriminelët fshihen në Dubai”, Salianji përplaset me Manjan

Deputeti demokrat Ervin Salianji dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja janë përplasur këtë të hënë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Salianji gjatë fjalës së tij, tha se sot burgjet mbushen me hallexhinj që ndërtojnë një objekt pa leje ndërkohë që krerët e krimit fshihen në Dubai, ndërsa kërkoi që qeveria të angazhohet për marrëveshjen e ekstradimit me Emiratet e Bashkuara.

“Burgjet popullohen nga hallexhinjtë nga ata që ndërtojnë pa leje, ata që bëjnë dyer dhe derë shtëpie. Krerët e krimit janë në Dubai. Dje një ngjarje tjetër e rëndë në zonë rezidenciale, një vrasje. Ju takon te marrëveshja që duhet të bëjë qeveria për ekstradimin është e domosdoshme. Ata që janë të pamundur dënohen dhe ata që janë krerë të krimit ndërtojnë në mes të Tiranës dhe vendosin kush do të hyjë në burg dhe kush do të dalë nga burgu”, deklaroi ai.

I  menjëhershëm ishte dhe reagimi i Manjës, i cili theksoi se marrëveshja e ekstradimit duhet të jetë vullnet i të dyja palëve. Ai shtoi se burgjet kanë për detyrë të administrojnë ata individë që përfundojnë në qeli për shkak të llogarive me drejtësinë.

“Edhe ne jemi njohur me ankesat e të paraburgosurve në Elbasan. U çuditëm nga ajo ankesë sepse monitorimet në IEVP-të tona sa i takon kushteve dhe ushqimeve janë të përjavshme. Nëse sot 80% e të dënuarve e konsumojnë ushqimin do të thotë se standardet dhe norma ushqimore është e duhura. Ne mund të jemi të paragjykuar sa i takon ankesës që është paraqitur në Elbasan. Ne e kemi bërë ankesën tonë atë ditë. Ftesa ime mbetet e hapur që në çdo moment të shkojmë bashkarisht në Elbasan. Lidhur me trajtimin financiar dua të kthehem, që trajtimi financiar nuk është indikatori kryesor pse njerëzit largohen. Mund të jenë faktor të ndryshëm. Paga është një element i qenësishëm por jo indikatori kryesor. Një pjesë e tyre kanë zgjedhur të punojnë në sektorin privat.

Një pjesë tjetër kanë shkuar në policinë e shtetit dhe pjesë tjetër i janë rikthyer sektorit privat. Më lejoni që të jap pagën mesatare sa është rritur në shtator. Paga mesatare nga 49 mijë lekë ka vajtur 53. Po punojmë për të siguruar transportin për punonjësit e policisë së burgjeve. Burgjet tona popullohen nga ata që shqipton një vendim drejtësia. Ne administrojmë ata që vijnë aty nga drejtësia se kanë rënë në konflikt me ligjin. E dyta nëse sigurisht ju keni një shqetësim lidhur me mbipopullimin, unë e thashë amnistia është një nga elementët. Mua më lind pyetja e doni amnistinë apo nuk e doni. Se në fund i takon kuvendit. Votohet me 84 vota ku zëri i opozitës është i domosdoshëm. Asnjë amnisti nuk ka kaluar pa konsensusin dhe dakordësinë e opozitës.

Sepse ato nisem nga parimet e humanizmit. Nuk kanë lidhje me fushatat elektorale. Të drejtat e votës ata e kanë aty ku janë duke vuajtur dënimin. Lidhur me marrëveshjet e ekstradimit është kërkuar edhe në Kuvend pse Shqipëria nuk nënshkruar marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ato janë edhe çështje e vullnetit të përbashkët. Mund të kërkosh ti por varet sa është vullneti i palës tjetër. Nuk ka qasje për marrëveshje ekstradimi. Shumë shpejt një grup në nivel ekspertësh kanë shfaqur kërkesën për të ardhur në Tiranë. Ne jemi të hapur me çdo shtet për marrëveshje ekstradimi”, tha ai.