zoom

Bota

Britania përgatitet për luftë, paralajmërim i fortë nga kryeministri

Britania përgatitet për luftë, paralajmërim i fortë nga kryeministri

Kryeministri britanik Keir Starmer ka dhënë një sinjal të fortë për ristrukturimin dhe forcimin e mbrojtjes kombëtare, duke e përshkruar qartësisht moton e re të qeverisë: “Gatishmëri për luftë”. Deklarata u bë gjatë një vizite në selinë e BAE Systems në Glasgow, një nga shtyllat e industrisë së mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Starmer paralajmëroi se kërcënimet globale, të udhëhequra nga agresioni rus, janë reale dhe në rritje, duke përfshirë edhe mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë me NATO-n. “Pa dyshim, jemi në një epokë të re rreziku”, u shpreh ai, duke përmendur edhe rritjen e sulmeve hibride, përfshirë sulme kibernetike dhe sabotime në tokat perëndimore.

Deklarata përkon me publikimin e një Raporti të Pavarur të Shpenzimeve të Mbrojtjes, hartuar nga figura të njohura ndërkombëtare si George Robertson (ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s), Fiona Hill (ish-këshilltare e Donald Trump) dhe gjenerali britanik Sir Richard Barrons. Konkluzioni kryesor: forcat e armatosura britanike nuk janë të përgatitura për një konflikt të madh ushtarak.

Ndër rekomandimet që Starmer ka premtuar se do të zbatohen menjëherë janë:

  • 12 nëndetëse të reja bërthamore sulmuese
  • 15 miliardë paund për modernizimin e sistemit “Trident”
  • 1.5 miliardë paund për rritjen e prodhimit të municioneve
  • Prodhim vendor i mbi 7,000 dronëve dhe armëve me rreze të gjatë
  • Krijimi i një Komande të Re për Luftën Kibernetike dhe Elektromagnetike
  • Investime strategjike në inteligjencën artificiale
  • Rritja e trupës aktive nga 73,000 në 76,000 ushtarë, si dhe mobilizimi i rezervistëve e veteranëve

Sipas raportit, bota ka hyrë tashmë në një fazë të re të paqëndrueshmërisë, ku skenarët e një përplasjeje të madhe ushtarake nuk janë më hipotetikë, por të mundshëm. Rekomandohet përgatitje gjithpërfshirëse, përfshirë edhe mobilizimin civil, për t’u përballur me sfida që variojnë nga ndërprerja e energjisë te ndërhyrjet në infrastrukturë kritike.

“Shteti ka detyrimin të mbrojë qytetarët e vet, por të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre,” theksoi Starmer, duke sinjalizuar një mundësi reale për thirrjen në shërbim të rezervistëve, vullnetarëve dhe popullsisë civile./ Zoom.al

Postime të lidhura