zoom

In Zoom

Bisedimet Turqi – Greqi çmontojnë propagandën e Tiranës

Nën një presion të fortë ndërkombëtar, Turqia dhe Greqia u ulën të bisedonin për të gjetur një mënyrë paqësore për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi kufijtë detarë në Mesdheun Lindor dhe të drejtat për kërkimet për gaz natyror.

Delegacionet e dy vendeve kanë zhvilluar dy takime. I sotmi në Athinë është i treti.

Disa muaj më parë, mediat në Shqipëri shkruajtën se një takim i rëndësishëm mes dy vendeve do të mbahej në Tiranë. Ishin kryesisht mediat pranë qeverisë e ndonjë tjetër që ra pre e propagandës së shpërndarë nga zyrat qeveritare, që shfrytëzoi një vizitë të Edi Ramës në Turqi.

Pas takimit me presidentin turk Erdogan, Rama u prit në Athinë joformalisht nga kryeministri Mitsotakis dhe ministri i Jashtmë Nikos Dendias.

E gjithë kjo shërbeu për të thurur mitin se Edi Rama ishte njeriu që kishte marrë një miratim ndërkombëtar për të pajtuar dy vendet.

Ajo që u shit e tillë ishte në fakt krej tjetër gjë. Edi Rama ishte ofruar tek Erdogan për të marrë një mesazh e për ta përcjellë tek Mitsotakis. Asgjë më shumë. Nuk pati as dakordësi që ai të mandatohej si ndërmjetës dhe as vendim që ndërmjetësimet të përfshinin edhe Tiranën.

Takimet që po zhvillohen mes dy vendeve, pa Edi Ramën në mes dhe pa Tiranën si arenë të tyre, e kanë çmontuar propagandën. Njësoj siç është çmontuar edhe miti i dikurshëm se Edi Rama ishte i përzgjedhuri i kancelares Angela Merkel në Ballkan, për t’i lënë vend një realiteti të trishtë për të, që e sheh vetëm si kryeministrin e një vendi të korruptuar deri në palcë, i cili i është rikthyer asaj që di të bëjë më mirë, stilit politik të gojështhurjes pa fre. ©Zoom.al