zoom

Aktualitet

BISEDA E PLOTË/ Si komunikonin hasmit Ervis Martinaj e Leonard Duka pas vrasjes së policit Malko

Dosja e bujshme e SPAK për operacionin “Revanshi” me 50 fletë-arresti përmban edhe mesazhe, biseda dhe komunikime mes krerëve apo anëtarëve të 7 organizatave kriminale, në miqësi apo armiqësi mes tyre.

Bien në sy hetimet, bisedat dhe konfliktet mes dy ish-miqve të kthyer në armiq, me pasuri miliona euro nga bizneset dhe aktivitetet e tjera ilegale, ish-ortakë, Ervis Martinaj, i zhdukur prej 8 gushtit 2022 dhe Leonard Duka, i arrestuar në Belgjikë dhe në proces ekstradimi.

Shkak ishte rrahja e babait të vëllezërve Erlis dhe Leonard Duka nga Santiago Malko, ushtari i Martinajt. Kjo nxehu gjakrat mes miqve dhe Dukët eliminojnë me Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës dhe ushtarët e tij, ish-policin Santiago Malko në gusht 2019, me motiv hakmarrjen. Martinaj s’e pret mirë dhe këtu nisin konfliktet e përgjakshme.

SPAK ka edhe bisedat e përgjuara mes tyre në vitin 2020 dhe vijim, ku më shumë se një përpjekjeje paqeje, duket si një strategji lufte për të futur në kurth me takim tjetrin. Aty dalin emra, episode, ngjarje, personazhe krimi, prova dhe detaje që zbardhin shumë akte kriminale dhe aktivitete me interes hetimor aktualisht për SPAK.

Historia dhe bisedat e plota Martinaj-Duka:

Më datë 18 gusht 2020, Leonard Duka komunikon me Ervis Martinajn. Ky i fundit i thotë se “Ai, (Santiago Malko) gaboi me babanë tënd. Unë babanë tënd me e pa në rrugë vetëm e respektoj, edhe me pa vëllain dhe ty me gra në rrugë nuk të gjuaj”.

Leonardi i kërkon llogari “mbretit të kumarit” se pse ia kishin rrëmbyer dhe dhunuar të atin, por Ervisi e mohon, duke i kujtuar se edhe ai e kishte mik Santiagon dhe bënin muhabete si vëllezër. “Ai nuk bënte asnjë lëvizje pa dijeninë tënde, ne kemi 15 vite shoqëri bashkë”, i shprehet Leonardi, kurse Martinaj ia kthen: “Një natë para ishit vëllezër dhe të thashë bëji muhabetet mirë, se ai është skizofren dhe ai gaboi me babanë tënd…”. Duka i kujton se vetëm prej babait ishte mërzitur shumë, sepse me të s’kishte asgjë.

Por Martinaj i kujton: “O nard, nuk më vret dot mua me gabelët e Vlorës, ti më vret vetëm kur të jesh në të drejtën tënde!”. Më tej dy ish-miqtë e kthyer armiq bisedojnë për informacionet që kishin dhe se si paguanin njerëz për të eliminuar njëri-tjetrin.

Më pas në një moment Ervisi i kujton porosinë që i kishte dhënë: “Të thashë mos e vrit (dyshohet për Santiago Malkon), e shave, ishin llafe të vërteta, nuk të thashë gja, llogaritë të thashë ulena dhe i bëjmë kur të duash”. Në një bisedë tjetër Leonardi e pyet Martinajn se çfarë do bënte për babën e vetë? Dhe ky i fundit i përgjigjet se “do e vriste”, përsëri referuar aktit të Malkos.

Në një sqarim të gjatë Martinaj i shkruan edhe për problemet që ish-polici Malko i kishte shkaktuar, megjithëse e kishte këshilluar shumë herë të mos vepronte apo se shumicën i bënte pa dijeninë e tij.

“I thashë kërkoi falje për babën dhe më pas vrituni. Më tha se kishe paguar 500 mijë euro për ta vrarë atë. Unë vetëm sherrin ia kam parë atij se më ka fut në sherr me gjithë Shqipërinë ai qelbanik. Nuk kisha dijeni se çfarë bënte. Në rastin e grabitjes së pleqve në Tepelenë e kam marrë vesh pas 6 muajsh (referohet se Malko ka pasur dorë sipas supozimit indirekt të bisedës), për gjuajtjen e Rinos, i jam lutur dhe i kam thënë na 10 mijë euro dhe mos bëj zhurmë. Edhe ti iu lute, por ti ke qenë tapë nga Trejsi, nuk e mban mend. Edhe për me shku me i gjujt Denisit dhe Emit, edhe për gruan e atij gurzit te lagja e gabelëve. Nuk i kam porositur unë këto”.

Këtu del pjesa kur dy ish-miqtë përmendin të dashurat e tyre dhe Martinaj i thotë se e ka pasur mendjen te modelja Trejsi Sejdini. Këto biseda nxjerrin zbuluar se dy ish-ortakët në biznes mbanin kontakte telefonike mes tyre në çdo kohë, si me parimin armikun mbaje afër, ndoshta edhe nga frika apo për t’i ditur çdo lëvizje, si strategji lufte.

Duka i thotë se për njohjen e vjetër që kishin, ai s’duhet të vepronte ashtu. “Gjithsesi ça ka ik nuk vjen më”, thekson ai. Më tej Leonardi i kujton çështjet e biznesit dhe se nuk ishte mirë të vijonin në atë mënyrë.

“Ose ulemi dhe i sqarojmë dhe me i rregullu, ose vazhdojmë siç ia kena nis, por e mira është që mos shkojnë gjërat më tej. Unë tynuk të kam prek asnë fis, as në gjak e babë, s’ta kam borxh. Ti duhet me më kthy çfarë më takon se kam gjithë ato lekë me ty në punë. Nëse don me i kthy, nëse nuk don, nuk të them më, por ajo është djersa ime”, i shkruan Duka biznesmenit të zhdukur prej dy vitesh dhe për të cilin ka hipoteza se mund të jetë futur në kurth dhe vrarë nga armiqtë etij më 8 gusht 2002, kur ka bërë komunikimin e fundit. Këtu dalin edhe konfliktet e shumëpërfolura të bizneseve miliona euro të basteve sportive.

Ervisi i përgjigjet se “nuk i ha asnjë lek” dhe se “pajisjet dhe lekët që i ka fut në lloto i ka aty, kurse për barin me sa di i ke marrë”. Gjithashtu i kujton përsëri se s’e vret dot me “gabelët e Vlorës”. Kurse Leonardi i përsërit propozimin për paqe: “As mua s’më vrasin dot ata të Lushnjës, Mamurrasit, Shkodrës dhe Vlorës. Por unë po të them me i qetësu gjërat, sepse nëse shkon më andej nuk mbaron më…”.

Më tej dalin edhe detaje se si Martinaj informohej për dosjet hetimore të armiqve që donin ta dëmtonin, përfshi edhe Dukën.

Ai i thotë se “një shkodran që hante mut si kurvat e pastrova (referuar Gjin Ndojit), edhe atë vlonjatin (Fatmir Hyseni, “Doqja”) do e vras sepse ka dashur të më vrasë mua, jo për Santin (Malkon). Ose do i vras,ose do i kalb në burg ato gabelt e Vlorës. Kurse me ty nuk merrem më. Inatin e kam se ke dashur me më vra mua, dhe mbasi u vra Santi lexova dosjen dhe kam mësuar se ke dasht me më vra mua, e atëherë kam dashur të të vras”.

Leonardi i kujton se edhe Ervisi ka dashur ta vriste dhe se lekët e bizneseve nuk ia fal, sikurse anasjelltas. I kujton se kishte dashur ta vriste te lagja e tij dhe se kishte gjithë informacionet, duke i kujtuar se ia dinte të gjitha bazat dhe shtëpitë. “Unë s’kam dash të prek te gjaku jot, sepse nuk do ndalej më kjo punë…”, i thotë Duka.

Martinaj i tregon se kishte paguar 1 mln euro për lokalizimin e tij, kurse Leonardi i shprehet që kjo punë të zgjidhej, sepse do mbaronte keq. Më tej bisedat vërtiten rreth Erlis Dukës dhe konfliktit me Santiago Malkon dhe Martinaj i thotë se e kishte sharë Malkon disa herë, duke i kujtuar se “Leonardi të ka dasht më shumë se Rinon”. Duka i kujton Martinajt se po të kishte bërë dhe atë, pra të sulmonte të vëllain Erlis Duka, “nuk e di se çfarë monstre do isha bërë pastaj pasha Allahun”.

Dhe muhabetet vijnë e nxehen më tej, teksa Martinaj e sfidon Dukën duke i thënë se po të donte “le t’ia maste forcën”. Por i kujton se 3 vlonjatët nuk do i falte. “Ata 3 vlonjatët do t’i gropos se kanë bërë tender me kokën time. Nuk ke besë në mua pa kapur atë “Doqen” (Fatmir Hyseni), ose në burg ose në tokë. Po mbajte anën e tij vazhdo, se të kanë përdor ai Gaxha (Elvis Gaxha), se ka dasht me të marrë peng te Valter Bami, or budall!”.

Leonardi i përsërit se s’ka asgjë me të dhe se “s’ka shance njeri me më marrë peng mu, se s’jam dele unë…”.

Martinaj e quan Elvis Gaxhajn qelbanik dhe tregon se kishte dashur ta vriste ditën që doli nga burgu. “Por mori fëmijën në krah dhe mu kujtua goca ime, ndaj e fala”, shprehet “mbreti i kumarit”. Më tej i tregon Dukës pazaret e Gaxhës me Bamët, që ta merrnin peng Leonardin dhe të kërkonin shpërblim 5 mln euro. “Hasmin më të rrezikshëm të kam ty, se je në të drejtën tëndë, me të tjerët fshij by…”. Martinaj i sugjeron Leonardit që të mos merret me Altin Lamen.

Mos u merr me Altin lamen, se nuk është më trim nga ty, as më i zgjuar dhe as me më shumë zemër dhe për atë unë flej në lulishte”, i thotë Martinaj.

Duka e mohon, duke i thënë se “Lame ka hallet e tij, sikurse ai të tijat dhe se përveç atij (Martinajt) nuk kishte afruar askënd në jetën e tij”.

“Mbreti i kumarit” këshillon Dukën më tej se muhabeti që po bënin bashkë, edhe pse ishin armiq mes tyre, të mos dilte më tej, të mos e merrte vesh njeri, se ndryshe “prishet muhabeti dhe më ke kundra”. Duka i kujton se ai qëllim kishte rregullimin e llogarive me të dhe çfarë folën mbetej aty.

Pastaj flasin për një person te “Kodra e Diellit” që kishte bërë burg dhe Martinaj donte ta hiqte qafe, bashkë me Akltin gegën, “Tucin”, për shkak të një shtëpie. Gjithashtu bisedat janë vërtitur për bizneset e përbashkëta, lokali “Billioner” në ish-Bllok, Hotel “Zeus” në Rinas, si dhe bastet sportive.

Martinaj këshillon Dukën që të merret me nënën e Santiago Malkos, sepse ajo akuzonte atë se ia vranë djalin për shkak të tij. Biznesmeni i thotë ish-mikut të tij se i kishte thënë se djalin ia vranë për shkak të gjobës 500 mijë euro që i kishte vënë Leonardit dhe ofendimit të babait. Duka bie dakord dhe i kujton Martinajt që njerëzit e tij, si Rigers Mihasi dhe Olci, por edhe gjaku i afërt të mos i rrinë nga pas, se ndryshe do i vriste. Martinaj përgjigjet se ai mban përgjegjësi për hallet e tija. “Kush e meriton, futja”, përgjigjet ai. Duka i thotë se do bisedonte me nënën e Malkos, por lekë nuk i jepte.

Martinaj i rrëfen Dukës edhe vrasjen e Gjin Ndojit, duke i thënë se po mburej duke u shprehur se do bëhej me të, leonardin, sepse jep 10 mln euro për kokën e Ervisit. “Kur e kapëm na tha se kishte gënjyer, e vramë kot budallain…”, i thotë Martinaj. Duka i kërkon paqe, të tërheqin njerëzit dhe që ata dy “të bëjmë be”, pra të betoheshin për paqen.

Më vonë, 20 gusht,  Duka merr Fatmir Hysenin (Doqen) dhe i tregon për bisedën me Martinajn.

Më pas bisedon me Altin gegën (Tucin) për të ngritur një lojë. “Duhet të bëhesh strateg, thuju të gjithëve, hap fjalë se Nardi jep 2 mln euro për informacion për lokalizimin e Martinajt ose 10 mln euro kush e vret. Të fillojmë lojën, meqë ai (Martinaj) paguan femra me shpi për të mësuar se ku fshihet e për ta nxjerrë në pritë. Bëji sytë katër, merr blindin e Erlis Dukës “Lashit”, eporosit ai Gegën.

Më tej vijnë llogaritë financiare që i duheshin çuar Martinajt për detyrimet e biznesit, sipas dakordësisë. Dhe bëhet  fjalë për shumë mbi 5 mln euro bashkë me biznesin e llotos. Më vonë Duka flet përsëri me Gegën dhe ky i thotë se ka hap namin për atë “fisderrin”, i referohet Martinajt dhe ka marrë informacione se do shkonte në plazh. Duka i kujton strategjinë dhe lojën, duke u shprehur se “përveç nesh s’e bën kush tjetër, vetëm ne mund t’i afrohemi atij, se s’del fare”.

Kurse Fatmir Hyseni i thotë Leonardit se kishte informacione se Martinaj po bënte gati një rrugë droge me një person të quajtur Loni, por duhej data dhe me çfarë.

Dhe këtu dalin informacione të tjera, pasi Hyseni i shprehet Dukës se po i ikte mendja për ato që Martinaj kishte thënë, pasi ai kishte një ushtri me vete. “S’më tret dheu, nuk vdes pa vrarë atë”, i thotë “Doqja”. Kurse Duka i kujton se do e mbante Martinajn si kontakt për nja dy ditë, “mos i prishet mendja dhe lë takim, dhe aty ia shkërdhejmë robt”.

Nga data 28 gusht 2020 deri më 1 shtator ata flasin për llogaritë e bizneseve dhe shitjen hotelit me vlerë 2 milionë euro. Teksa Duka i ankohet Martinajt se e kishte marrë lehtë punën e llogarive.

Leonard Duka dhe Erlis Duka flasin më 2 shtator se Policia kishte kryer operacion, por kishin marrë informacione sekonda para dhe ishin larguar. Pra me informatorët e tyre në Polici. Kurse nënvizojnë se Martinaj mund të kishte dhënë informacione në Polici për vendndodhjet.

Biseda mes ish-miqve del nga kontrolli më 3 shtator 2020. Duka i kërkon likuidimet, duke i kujtuar 1,8 mln euro të biznesit të basteve. Martinaj i nxehur i thotë:

“Mos e kruaj bythën, merr ato lekë, kris bythën, mbyll gjyqin, unë të kam 500 mijë euro plus të hotelit”. Dhe këtu situata kthehet në zanafillë, ku Martinaj i kujton Dukës se do merrej me të se po vepronte si “skuth” duke hapur luftë. Duka i përgjigjet më ashpër, duke i thënë se “skuth je ti, që s’ke burrni, madje jo me të tjerët, pr as me veten”. “Jam qetësuar, se thashë mos rregullohej, por që tani do harroj vlonjatët e do merrem me ty”, e paralajmëron Martinaj. Kurse Duka i kujton se i doli borxhit.

Në bisedat e tjera të personazheve, del një mes Bajrit dhe Gegës, ku i pari i ka thënë se Edison harizajn (faqedjegurin) e kishte vrarë “Doqja”, Fatmir Hyseni me të tijët. Por Leonard Duka i thotë Gegës që të mos u besojë shumë, se i përhapte Martinaj.

Në dosje përmendet edhe episodi i plazhit në Dhërmi, më 10 korrik 2020, kur pretendohej se ishte lokalizuar nga organizata “Duka” biznesmeni Ervis Martinaj me një femër, e që qëndronin në një prej hoteleve.

Gjithashtu bëhet një përshkrim i konflikteve mes dy ish-miqve të kthyer në armiq për shkak të rrahjes së babait të Dukës nga ish-polici Santiago Malko, për inat të vëllezërve Duka. Më tej situatat janë agravuar me ngritje kurthe, pagesa informacionesh dhe tentativa për vrasje, me pagesa deri në 10 mln euro. /ZOOM.AL/