Aplikacion
Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë sot Pashkën Ortodokse, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin fetar.
Gjatë meshës së shenjtë të zhvilluar në mesnatë, ata u lutën për paqe, dashuri dhe begati.
Në Tiranë, ceremonia kryesore u mbajt në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku mesha u drejtua nga Kryepeshkopi Joan.
“Në kohën që po jetojmë, po përballemi me një formë të re vdekjeje, mpirjen e indiferencës, tharjen shpirtërore të një shoqërie që harroi Perëndinë, jo sepse iu ndalua, por sepse zgjodhi ta injorojë. Përplasja e bindjeve të padukshme vazhdon të shkatërrojë jetë të dukshme. Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën, na thotë Krishti, nëse humbet shpirtin e tij? Këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, sigurinë, statusin shoqëror dhe megjithatë ndihet më i zbrazur, i vetmuar, i paplotësuar, i shqetësuar se kurrë”, tha kryepeshkopi Joan.
Qindra besimtarë u mblodhën për të ndjekur ritualin tradicional të natës së Pashkës.
Një nga momentet më simbolike të kësaj feste ishte ndezja e qirinjve, përmes së cilës besimtarët morën “dritën e shenjtë” për ta çuar në familjet e tyre, si shenjë e ringjalljes së Jezu Krishtit.
Sipas traditës, Pashka ortodokse festohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës dhe pas hënës së parë të plotë.
Kjo festë simbolizon kalimin nga vdekja në jetë, duke përkujtuar kryqëzimin e Krishtit në të Premten e Madhe dhe ringjalljen e tij në ditën e Pashkës./ Zoom.al