zoom

Politikë

Berisha: Shqipërisë i ka ikur 35% e popullsisë, sa asnjë komb tjetër

Në një tryezë të organizuar për shpopullimin, Sali Berisha ka deklaruar se në 8 vite Shqipëria ka humbur 35% të popullsisë dhe e quan si krizën më të rëndë të ekzistencës tonë që nga vitet 1870.

Fjala e ish-kryeministrit:

Shqiptarët ishin para alternativës: to be or not. Përveç vetes së tyre, shumë të paktë ishin ata që i pranonin për kohën. Porta e Lartë dhe Pallati Jolldiz ishin të gatshëm të shpallnin grekë, sllavë, të gjithë të krishterët shqiptarë, me qëllim që shqiptarët t’i paraqisnin si otomanët e Europës.

Ne ngritëm zërin tonë fillimisht me pushkë. Ishte ajo rezistencë që iu bë vendimeve të Kongresit të Berlinit, kryesisht në zonat e alpeve, e cila faktoi se këta ishin një komb. Rilindësit formësuan doktrinën e shqiptarisë, doktrinë perëndimore, dhe kombi mori rrugë.

Nga ajo kohë kemi kaluar rreziqe. Prandaj them se sot jemi pas vitit 1870 në një gjendje të pashembullt ndonjëherë.

Në rast se gjatë Luftës së Parë Botërore, toka shqiptare u shkel nga 7 fuqi të huaja ku u aplikuan gjenocide nga të katër anët, megjithatë popullata shqiptare e humbur është 10%.

Sot ne kemi një statistikë më të saktën që kemi pasur kurrë në histori. Në 8 vite kemi humbur vetëm në hapësirën e Shengenit, 937 mijë shqiptarë, mbi 1 milion nëse llogarit edhe vendet e tjera, pra rreth 35 përqind të popullatës në Shqipëri.

Kurrë një komb nuk ka humbur kaq shumë në histori”, tha ndër të tjera Berisha.