zoom

Politikë

Begaj i kundërvihet për herë të dytë mazhorancës, i kthen ligjin për shtetësinë: Nuk morën 84 vota!

Kreu i shtetit për herë të dytë bën ‘rezonancë’ me mazhorancën. Presidenti i Republikës ka rikthyer në Parlament ligjin për shtetësinë, për shkak se 4 nga amandamentet nuk morën numrin e kërkuar të votave, 84, pra shumicë e cilësuar.

Bajram Begaj, firmosi sot (24 tetor 2023) në Parlament për rishqyrtim ligjin nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë” miratuar në Kuvend më 21 shtator 2023.

Sipas presidencës 4 amendamente nuk morën 84 vota siç parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në nenin 81, pika 2, shkronja “b” shkruhet se amendamentet miratohen me shumicë të cilësuar prej 3/5 të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, minimalisht 84 vota, por nga procesverbali i seancës plenare të datës 21.9.2023 dhe të dhënave të votimit elektronik konstatohet se miratimi i amendamentit të dytë është bërë me 78 vota, i amendamentit të tretë me 77 vota, i amendamentit të katërt me 78 vota dhe i amendamentit të pestë me 79 vota.

Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara.  Në procesin e kontrollit kushtetues, konstatimi i shkeljeve procedurale, të cilat bien ndesh me një dispozitë kushtetuese (shkronja “b” e pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës) është shkak i vetëmjaftueshëm për kthimin për shqyrtim të ligjit”  thuhet në arsyetimin e presidencës”, njoftoi Presidenca.

Ky është ligji i dytë që presidenti Begaj kthen pas ligjit për dekoratat, në fillim të këtij viti. /ZOOM.AL/