Aplikacion
Shtetet anëtare të BE-së e konsiderojnë të papranueshëm vendimin për tarifat 30% për mallrat evropiane.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Shefin e Tregtisë të BE-së në Bruksel, ministri i Jashtëm danez u shpreh se kjo situatë nuk ka justifikim.
“Diskutuam gjendjen aktuale dhe perspektivat për marrëdhëniet tregtare BE–SHBA, duke përfshirë kundërmasat e mundshme të BE-së, si dhe njoftimin e Presidentit Trump për tarifa të përgjithshme prej 30% ndaj BE-së nga 1 gushti, të cilat, duhet të them, shtetet anëtare i konsiderojnë absolutisht të papranueshme dhe të pajustifikuara”, tha ministri danez i Punëve të Jashtme.
Nga ana tjetër, ministri i Tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, theksoi se nuk do të heqin dorë, duke marrë parasysh se sa afër janë në arritjen e një marrëveshjeje.
“BE-ja, siç e dini shumë mirë, nuk largohet kurrë pa përpjekje të vërteta, veçanërisht duke pasur parasysh punën e madhe të investuar, sa afër jemi me arritjen e një marrëveshjeje dhe përfitimet e qarta të zgjidhjes së negociuar. Por, siç e kam thënë edhe më parë, duhen dy duar për të duartrokitur”, tha ministri i Tregtisë së BE.
Šefčovič tha se BE-ja do të duhet të ndërmarrë kundërmasa nëse dështojnë negociatat tregtare me SHBA-në.
Kundërshtimeve të BE-së, Trump u është përgjigjur me ironi, duke thënë se vendet europiane duhet t’i thonë “faleminderit” për udhëtimin falas.
“SHBA-të janë mashtruar në shpenzimet tregtare dhe ushtarake për dekada të tëra, dhe kjo i ka kushtuar vendit triliona dollarë. Vendet duhet të ulen dhe të thonë: faleminderit për udhëtimin falas shumëvjeçar, por ne e dimë që tani duhet të bëni atë që është e drejtë për Amerikën. Ne duhet t’u përgjigjemi duke thënë: faleminderit që e kuptuat situatën në të cilën ndodhemi. Shumë e vlerësuar!”, tha Trump.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi më herët se do të vendosë tarifa prej 30% për mallrat nga Bashkimi Evropian, duke filluar nga 1 gushti.