Aplikacion
Komisioneri për zgjerimin, Oliver Várhelyi flet hapur për mungesë gare e transparence, për praktika diskriminuese dhe lë të kuptohet se me mënyrën se si ka vepruar qeveria Rama është cënuar edhe marrëveshja e Stabilizim – Asociimit.
Në një përgjigje për deputetin e PD, Enkelejd Alibeaj, komisioneri i ngre hapur këto shqetësime.
“Komisioni Evropian i kushton rëndësinë më të madhe përputhshmërisë me standardet e MSA-së dhe BE-së. Kur bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare me vendet e treta, qëndrimi i Bashkimit Evropian është i qartë dhe ai është ngritur vazhdimisht, duke përfshirë edhe Këshillin e fundit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri që u zhvillua në mars 2021. Të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare janë përdorur në fushën e prokurimeve publike dhe koncesioneve, duke përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit.”
Komisioneri përmend gjithashtu faktin se Komisioni Europian e anuloi grantin prej 28 milionë eurosh që ishte parashikuar për portin e Durrësit.
“Komisioni është në konsultime të vazhdueshme me përfaqësuesit e qeverisë për prioritetet e investimeve të Shqipërisë. Sigurisht që ne i kemi ndjekur nga afër edhe zhvillimet në lidhje me projektin e portit të Durrësit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, aktivitetet e ngarkesave të Portit të Durrësit janë planifikuar të zhvendosen në Porto Romano. Si rezultat i modifikimit në projekt dhe ndryshimit të përdorimit të Portit të Durrësit, Komisioni anuloi grantin e mbetur të WBIF për investimin për këtë projekt specifik. Komisioni u informua siç duhet për miratimin e fundit të ligjit për rizhvillimin dhe se Autoriteti Portual i Durrësit kishte nënshkruar një kontratë shërbimi për përgatitjen e projektit të detajuar për aktivitetet e ngarkesave në Porto Romano, transferuar nga Porti i Durresit. Komisioni është i gatshëm të mbështesë dhe të akomodojë projekte të mëtejshme investimi në lidhje me projektin e zhvillimit të ri komercial të Porto Romanos nëse kërkohet. Është objektivi ynë i përbashkët për të mbështesin zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.”
Mediat dhe opozita kanë ngritur dyshime të forta se projekti i Portit të Durrësit do të përdoret për pastrim parash. Opozita e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëshjen, por ajo nuk ka përmendur në padi një shkelje thlebësore, siç është përjashtimi i kompanisë offshore të Alabbar nga disa taksa, si ajo e infrastrukturës dhe strehimit social.
Për juristët, jo është një shkelje e hapur e ligjeve dhe Kushtetutës, pasi vendimi është marrë posaçërisht për një kompani të caktuar, duke diskriminuar kështu kompanitë e tjera shqiptare e të huaja që operojnë duke paguar të gjitha taksat.
Dyshime ka edhe për pjesë të tjera të kontratës, si përfitimi i parashikuar për shtetin, i cili do të marrë 2% të fitimit nga Marina Yacht, ndërsa i ka dhënë kompanisë offshore “Symphony Invest Limited” 800 mijë m2 tokë falas.
Qëllimi i projektit është zhvillimi i turizmit, por nga projekti shihet se kompania do të ndërtojë apartamente për t’i shitur. 75 % të projektit është për pallate dhe vetëm 5 % për hoteleri në funksion të turimizmit. /Zoom.al