Aplikacion
Prezantuesi i emisionit televiziv italian “La Vita in Diretta”, Alberto Matano (53 vjeç), dhe gazetarja e terrenit Barbara Di Palma (46 vjeç) janë paditur për shpifje të rënduar nga A.S., ish-kujdestare e baroneshës Maria Malfatti. Padia lidhet me një reportazh të transmetuar më 16 prill, në një kohë kur procedurat gjyqësore ndaj saj ishin ende në fazë paraprake.
A.S., 45 vjeçe dhe me origjinë nga Shqipëria, u dënua në nëntor të vitit të kaluar me dy vjet burg për shfrytëzim të paaftësisë mendore. Sipas akuzës, ajo dyshohet se ka përfituar nga rënia konjitive e baroneshës Malfatti, e ndarë nga jeta më 31 tetor 2023 në moshën 87-vjeçare në Rovereto, duke e bindur ta emëronte trashëgimtare universale dhe t’i linte pasuri me vlerë rreth pesë milionë euro. Kjo tezë është mbështetur edhe nga nëntë nipërit e të ndjerës, të cilët u paraqitën si palë civile në proces.
Shkak për padinë u bë mënyra e trajtimit të çështjes në emision, ku A.S. u cilësua si “djallëzore” nga dy gazetarët dhe u hodh hipoteza se ajo mund të ishte pjesë e një organizate mashtruese. Sipas paditëses, këto cilësime janë fyese dhe shpifëse, duke dëmtuar rëndë imazhin e saj.
Më 25 qershor, zëvendësprokurorja e Roveretos, Viviana Del Tedesco, paraqiti kërkesë për arkivimin e padisë për shpifje. Megjithatë, A.S., së bashku me avokatin e saj Nicola Canestrini, ka paraqitur kundërshtim ndaj këtij vendimi. Tashmë dosja ndodhet në shqyrtim nga gjyqtari i seancës paraprake, i cili pritet të caktojë një seancë dhe të vendosë nëse çështja do të arkivohet apo do të vijojë me hetime të mëtejshme.
Nga ana e tyre, Matano dhe Di Palma, të përfaqësuar nga avokati Luca Tirapelle, kanë deklaruar se reportazhi përbën “një rikonstruksion thjesht gazetaresk”, pa qëllim fyes apo denigrues, duke theksuar se në material janë përfshirë edhe deklarata që paraqesin një këndvështrim të balancuar të ngjarjes.
Në kundërshtim, mbrojtja e kujdestares argumenton se termi “djallëzore” ka natyrë qartësisht fyese dhe se hipoteza për përfshirjen e saj në një organizatë mashtruese nuk është mbështetur kurrë nga aktet procedurale. Për këtë arsye, avokati Canestrini kërkon që gjyqtari të urdhërojë vijimin e hetimeve ose ngritjen e akuzës ndaj dy gazetarëve./ Zoom.al