zoom

Ekonomi

Banka e Kadri Morinës në krizë/ BSH masa kufizuese ndaj UBA-s

Banka e Kadri Morinës në krizë/ BSH masa kufizuese ndaj UBA-s

Banka e Shqipërisë (BSH) ka vendosur masa kufizuese ndaj Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA) duke i pezulluar përkohësisht dhënien e kredive të reja, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Vendimi do të qëndrojë në fuqi derisa UBA të rrisë kapitalin dhe të përmirësojë treguesit financiarë.

Mbikëqyrje e rreptë dhe shqetësime për kapitalin

Sipas burimeve pranë institucionit qendror, prej disa muajsh UBA është nën monitorim të ngushtë. Shkak është bërë rënia e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit, e cila në fund të vitit 2024 zbriti në 15.71%, nga 19.81% që ishte një vit më parë.

Ligji shqiptar kërkon që bankat të ruajnë një nivel minimal kapitali prej 12%, por Banka e Shqipërisë ndjek një politikë më konservatore, duke imponuar tregues më të lartë për të garantuar sigurinë financiare.

Humbje të përsëritura dhe kapital i kontestuar

Bilancet e UBA-s pasqyrojnë një situatë të vështirë financiare. Në vitin 2023 banka regjistroi një humbje prej 5.5 milionë eurosh, ndërsa në 2024 humbjet u thelluan në 6.2 milionë euro.

Edhe pse aksionarët injektuan kapital të ri për të rritur treguesit, një pjesë e këtyre fondeve është kontestuar nga Autoriteti Mbikëqyrës si jo në përputhje me kërkesat ligjore. Kjo, së bashku me humbjet e akumuluara, ka ndikuar që treguesi i kapitalit të bjerë ndjeshëm.

Vendimi i BSH dhe masat e reja

Pas një inspektimi të zhvilluar gjatë marsit dhe prillit 2025, BSH ka vendosur UBA-n në një plan të detyruar masash, që parashikon rritjen e kapitalit rregullator. Burime pranë bankës bëjnë me dije se aktualisht po punohet për të zbatuar gradualisht kushtet e vendosura nga autoriteti mbikëqyrës.

UBA, banka më e vogël në treg

Me një pjesë tregu prej vetëm 1.1%, UBA është banka më e vogël në sistemin financiar shqiptar. Në fund të gjashtëmujorit të parë 2025, asetet e saj arrinin në rreth 250 milionë euro, ndërsa kapitali në afro 36 milionë euro. Për këtë arsye, konsiderohet bankë jo sistemike për stabilitetin e tregut.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka zgjedhur të ruajë një qasje konservatore, duke ndërhyrë për të siguruar stabilitetin financiar dhe mbrojtjen e klientëve.

Struktura e pronësisë

Aktualisht, 98% e aksioneve të UBA-s zotërohen nga shoqëria e sigurimeve Eurosig, në pronësi të biznesmenit Kadri Morinaj, ndërsa 2% i takojnë disa aksionarëve të vegjël./ Zoom.al