Aplikacion
Qytetarët ftohen të protestojnë për çmimet e larta të ushqimeve e naftës, për korrupsionin, për vjedhjen e parasë publike, pabarazinë sociale, mungesën e konkurrencës, favorozimin e monopoleve dhe të klientëve të qeverisë, pabarazinë para ligjit mes klientëve të qeverisë dhe qytetarëve të thjeshtë, siç është rasti i ndërtimeve pa leje, për papunësinë, emigracionin e rinisë e shumë çështje të tjera të karakterit ekonomik e social.
Nëse i dëgjon protestuesit e intervistuar shqetësim kryesor kanë çmimin e naftëës, të ushqimeve dhe papunësinë. Por papunësia dhe kosto e jetesës janë një betejë e përjetshme e shoqërisë. Edhe socialistët, që mund të ngriheshin në anti-mitingje, i paguajnë njësoj naftën dhe ushqimet e shumë prej tyre janë të papunë ende. Por faturën e këtyre zhvillimeve Edi Rama ka ditur me mjeshtëri t’ia kalojë luftës së Putinit në Ukrainë.
Përtej kësaj, ajo që shohin përditë shqiptarët, të varfër e të pasur, është se si shpenzohen miliona euro nga paratë e arkës së shtetit, ndërkohë që varfëria shtohet, të rinjtë ikin se nuk kanë mundësi ekonomike për të ndërtuar jetesën, pensionistët nuk arrijnë të blejnë as ilaçet.
Dy janë shembujt më tipikë të shpërdorimit dhe abuzimit, çka do të duhej të përbënin edhe boshtin e aksionit opozitar të dyshes Berisha – Meta.
I pari është avioni charter që Edi Rama ka marrë nga presidenti turk Erdogan përmes një forme të dyshimtë e të pashpjeguar asnjëherë nga qeveria. Qeveria Rama ka refuzuar në çdo formë të tregojë kontratën se si avioni “Ismail” kaloi nga qeveria turke në përdorim të qeverisë shqiptare dhe as faturat që paguhen. Sipas faqeve të specializuara, të konsultuara nga Zoom.al, shpenzimet për 1 orë fluturim janë 15 mijë euro. Opozita thotë se Rama ka shpenzuar 22 milionë euro me avionin që ai e përdor si taksi për të shkuar edhe deri në Prishtinë, Shkup e Podgoricë.
Opozita duhet të kërkojë me këmbëngulje faturat. Ajo duhet të përdorë çdo mekanizëm ligjor për t’i shtënë ato në dorë së bashku me kontratën, për t’u treguar mbështetësve të saj dhe po ashtu edhe skeptikëve se ajo ka prova në dorë për korrupsionin dhe luksin që bën Rama me paratë e shqiptarëve, teksa shumica e tyre mezi kalon muajin dhe shumë familje bien çdo muaj në varfëri. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët do të kuptojnë se ç’kryeministër kanë zgjedhur deri tani.
I dyti është Porti i Durrësit. Ky projekt 2 miliardë eurosh ka ngritur pikëpyetje të shumta, për arsye po kaq të shumta. Marina dhe ndërtimi i pallateve në 800 mijë metër tokë shtetërore janë dhënë pa garë. Opozita duhet të tregojë se çfarë e detyroi qeverinë shqiptare të mos bëjë garë ndërkombëtare dhe çfarë qëllimesh fshihen pas kësaj.
Qeveria ka gënjyer deri tani se pas investitorit arab Mohamed Alabbar qëndron kompania që ai ka themeluar “Emaar Group”, e cila ka ndërtuar kullën më të lartë në botë “Burj Khalifa” në Dubai. Në të vërtetë Alabbar ka ardhur këtu me kompaninë offshore “Eagle Hills”, e cila ka dështuar në projektin e Beogradit “Belgrade Waterfront” dhe është e akuzuar për korrupsion në disa vende e dyshohet se ka shkelur sanksionet e BE duke bashkëpunuar fshehurazi me regjimin e Lukashenkos në Bjellorusi. Opozita duhet të kërkojë me çdo formë që qeveria të tregojë se kush janë investitorët e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj kompanie dhe guackave të tjera që Alabbar ka regjistruar në emër të familjarëve të tij.
Guacka “Eagle Hills” e Alabbar do të ndërtojë në fillim pallatet në 800 mijë metër tokë shtetërore dhe më pas Marinën, por ajo nuk ka lënë asgjë si garanci që mund t’i ngelej Shqipërisë nëse nuk e ndërton portin dhe ikën sa të shesë pallatet, apo nëse dështon në realizimin e investimit.
Çfarë do të ndodhë nëse porti ekzistues shkatërrohet dhe Alabbar e braktis projektin? Kjo pikë nuk është përfshirë as në kontratën që parlamenti pritet ta miratojë këtë të enjte. Opozita duhet t’u tregojë shqiptarëve se çfarë rrezikojnë.
Po ashtu ajo duhet t’u tregojë shqiptarëve me fakt se janë ata që do ta paguajnë koston mbi 500 milionë euro të zhvendosjes së portit industrial në Porto Romano, teksa Alabbar do t’i marrë për vete mbi 90% të fitimeve në portin e Durrësit.
Opozita duhet ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese kontratën e Portit të Durrësit, sepse me një rast të paprecedent ajo e lejon kompaninë “Egle Hills” të Alabbar të ndërtojë pallate pa paguar taksa. Kjo nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri me asnjë biznes të huaj apo shqiptar. Opozita duhet t’i tregojë kështu biznesit shqiptar që ai ka një vend ku mund të kërkojë drejtësi për padrejtësitë që Edi Rama u bën sipas interesave të dyshimta.
Nëse dyshja Berisha – Meta do t’i fokusojë energjitë në zbardhjen e këtyre dy aferave, ajo nuk do ta ketë të vështirë t’i nxjerrë qytetarët në rrugë, sepse do t’u tregonte jo me retorikë, por me fakte e prova se si bëhen punët në këtë vend dhe si abuzohet në emër të tyre dhe si manipulohen përmes gënjeshtrave të thurura me fjalë të zgjedhura, si lule të bukura që fshehin kufomën e një vendi të vrarë nga korrupsioni dhe abuzimi. /Zoom.al
Dështon marrëveshja?/ Italia tërheq të gjithë stafin e punonjësve nga qendrat e emigrantëve