zoom

Ekonomi

Autoriteti i Konkurrencës: Dihet që në tregun e miellit dhe bukës ka probleme

Denar Biba, kreu i Autoritetit të Konkurrencës tha se Komisioni që heton shkeljet dhe vetë AK, e di që në tregun e miellit dhe bukës në Shqipëri ka probleme, por mungojnë provat dhe nuk mund të gjobisë një kompani vetëm me një indicide, siç është ajo e rritjes së çmimit.

Deklarata u dha në Komisionin ndërparlamentar të Ekonomisë, ku ishte thirrur Bordi Drejtues i AK-së për një seancë dëgjimore mbi hetimin e tregut të miellit dhe çështjes së rritjes së çmimit të bukës, nga grupi parlamentar i PD-së.

“Gjoba rrodhi në media para se ne t’a shqyrtonim, por ne nuk kemi qëllim primar gjobitjen e bizneseve. Qëllimi është efikasiteti i tregut. Ne nuk krijuam bindjen që ka diçka që nuk shkon, nuk ka provë konkrete, por kishte problem. Në 694 raste kishte çmime të ngjashme, por nuk kishte numër të saktë operacionesh dhe indiciet ishin të paqarta. Kam kërkuar shtyrjen e mbledhjes dhe hetimit. Duhen periudha 4-6-15 vite sepse për aq kohë nuk jep dot vendim vetëm me indicie, më vonë do ta rrëzonte gjykata. Shumë vendime janë rrëzuar nga gjyqësori”,- tha Biba.

Më tej, Biba shtoi se ngritja e menjëhershme e çmimeve nuk është patjetër arsye e abuzimit dhe se tregu i importit të grurit, që lidhet me rritjen e çmimeve në Rusi, Ukrainë dhe Serbi, vazhdon ende dhe do të japë vendimin në shtator 2022.

Anëtarja e Këshillit të Mbikëqyrje në AK, Leida Matja, hoqi nga Autoriteti përgjegjësinë e ndërhyrjes në një situatë të tillë, sepse sipas saj aty nuk ka pozita dominues dhe do të ishte shkelje e tregut të lirë.

“Pozita dominuese varet nga sektori, ne nuk ndalojmë dominimin në treg, por abuzimin me pozitën dominuese. Ne ndërhyjmë kur ka abuzime me çmimet, por varet sipas rastit, 30%, 40% etj. E vlerëson komisioni dhe më pas ndërhyjmë ne. Kur tregu është i lirë dhe asnjë kompani nuk ka pozitë dominuese është jashtë fuqisë së Autoritetit të Konkurrencës.”

Deputetja Jorida Tabaku, pjesë e grupit që thirri këtë seancë dëgjimore, ngriti pyetjen se pse një vit më vonë, ndryshoi vendimi nga gjetja e sjelljes së bashkërenduar të kompanive të këtij sektori në 2020-n dhe më pas hedhja poshtë në 2021-shin.
Anëtarja e Këshillit, Matja tha se kjo ka ndodhur për shkak të ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, ndryshimit të çmimit dhe vetë pandemisë.

“Ne nuk kemi thënë që do vëmë gjobë apo jo, kemi thënë që me kaq prova ne nuk japim dot një verdikt final.”