zoom

Politikë

Autogoli i Ballës me drejtorin e inceneratorit të Tiranës dhe tentativat për “të rikthyer” Mërtirin

Qeveria ka emëruar dhe shkarkuar brenda pak orësh të njëjtin drejtor në krye të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.

Fillimisht, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, në këtë post u emëruar Ferdinant Tarazhi, i cili dikur drejtonte inceneratorin e Tiranës. Pas sekuestrimit të djegësit, Tarazhi mbeti papunë, por posti i ri që i premtoi ministri Balla do ta dërgonte atë përsëri pranë inceneratorit.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, për fat të Tarazhit dhe qeverisë, qëllon që administron edhe inceneratorin e Tiranës, si subjekt i sekuestruar tashmë. Vendimi solli një reagim edhe nga Partia Demokratike e Rithemelimit, duke denoncuar rastin.

Pas katër orëve punë, i njëjti ministër shkarkoi Tarazhin dhe emëroi një tjetër drejtor në krye të kësaj Agjencie, Idriz Haxhiajn.

Tarazhi ishte një ndër personat e besuar të Mirel Mërtirit, momentalisht në arrati, që e emëroi atë drejtor tek djegësi i Tiranës. Por në momentin që objekti kaloi në duart e shtetit, njerëzit e të arratisurit u shkarkuan nga postet e tyre.

Tentativa e qeverisë për të rikthyer në njëfarë mënyrë inceneratorin tek pronarët e vet duket se dështoi, vetëm nëse në katër orëshin e tij si i punësuar, Tarazhi ka “punuar”me të vërtetë. /Zoom.al