Aplikacion
“Unë dua t’ju them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, vetëm 100 ditë! Që qytetarët të marrin frymë shumë të plotësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se ndaj jeni zgjedhur, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre. Kjo duhet bërë në respektin e vetes, të masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe që nuk ka pse i paguan kostos një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe që duhet të shkojë para drejtësisë. Në çdo qark, në 100 ditë, duhen dhënë shembujt e qartë, që nuk ka polici pa ndëshkueshmëri. Ju nuk e keni fare problem t’i gjeni, t’i kapni për krahu e t’i çoni para drejtësisë. Ky është një objektiv i palëvizshëm. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, shqiponja, skifterë, qakej, që rrinë si të infiltruar brenda trupit, duhet të shkojnë para drejtësisë”, deklaroi Rama.
100 ditëshi po mbaron. Mesi i muajit tetor shënon skandencën e afatit të vënë nga kryeministri. Por policia e drejtuar nga Ardi Veliu po i afrohet këtij finishi pa bilanc.
Vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha në Lezhë tregoi se sa e papërgatitur është ajo, sa e pa mbrojtur, se si shkon në operacione të rrezikshme pa masa sigurie.
Ky krim i rëndë riktheu edhe njëherë në vëmendje faktin se sa pak është bërë për efektivët e policisë së paku në 4 vitet e fundit.
Policëve shqiptarë u ka dalë edhe boja e uniformave, teksa një kostum i uniformës tenderohet me afro 2800 euro, si dëshmi e një korrupsioni galopant.
Standardi i jetesës i policit të thjeshtë sa vjen e përkeqësohet, në një kohë kur pagat kanë mbetur në vend numëro, ndërsa çmimet rriten dita –ditës.
Ngjarja e Lezhës tregoi se sa lehtësisht vijon të kultivohet kanabis. Parcela e asgjësuar nga nënkomisari Hoxha pak para vrasjes, ishet në Kune – Vain, një zonë fushore shumë afër qendrës së banuar të Shëngjinit. Në zonat malore, ka të dhëna se ky fenomen është i përhapur gjerësisht.
Vrasja e nënkomisarit që ishte nisur në operacion anti-kanabis qoftë edhe pa një jelek antiplumb apo pa një grup mbështetje të forcave të rendit, tregoi po ashtu se armët janë sheshit. 21 –vjeçari Aldi Rama kishte në dorë një pistoletë luftarake, të cilën e përdori për të ekzekutuar efektivin e policisë. Vrasja tregoi se policia e Ardi Veliut ka dështuar edhe në këtë front. Nën presion nga afati ultimativ i kryeministrit, kapjen e armëve pa leje ai ua kishte vënë kusht vartësve këto 3 muaj. U kishte kërkuar një sasi të caktuar, që çdo komisariat të kapte 6 deri në 10 armë.
Kërkesa e çuditshme shqetësoi jo pak drejtues. Ndërsa ekspertë të policisë, të pyetur nga Zoom.al thanë se kërkesa të tillë provojnë paaftësinë dhe mungesën e planeve të detajuara për të luftuar një fenomen kaq kompleks.
“Nuk luftohet mbajtja dhe trafikimi i armëve pa leje me aksione dhe as me reagime sporadike për të shpëtuar drejtuesin nga laku që po i shtrëngohet në fyt”, tha një ekspert i policisë që kërkoi të mbetej anonim.
100 ditë, asnjë arrestim i bujshëm, asnjë grup kriminal i goditur, teksa vrasjet mbushin edicionet informative çdo ditë, teksa rrugët përgjaken çdo ditë nga mungesa e sigurisë në rrugë, teksa korrupsioni vijon ta gërryejë vendin, teksa kriminelët ndërtojnë gratacela në mes të Tiranës, teksa droga vjen me kuintalë nga Amerika Latine e transportohet me tonelata përtej Adriatikut. Kjo është policia sot.
Keqmenaxhimi i saj dhe mungesa e profesionalizmit në drejtim e ka shndërruar atë në një organizatë të çorganizuar, aq sa ndaj uniformave blu po e humbasin besimin i madh e i vogël, aq sa tani biznese të mëdha e të vogla, veç taksave që paguajnë për policinë, po paguajnë gjithnjë e më shumë haraç ndaj grupeve kriminale, për të siguruar patronazhimin dhe mbrojtjen e tyre.
100 ditët për Ardi Veliun po mbarojnë dhe bashkë më të, qytetarët shpresojnë që t’i jepet fund edhe periudhës më të keqe të policisë së shtetit. /Zoom.al
Gazetarja: Shoku i autorit të vrasjes së 14-vjeçarit, djali i një hetuesi të BKH pranë SPAK