zoom

Lajme

Ancelotti nuk dorëzohet: “Do të luajmë me kokë, me zemër dhe me topin!”

Ancelotti nuk dorëzohet: “Do të luajmë me kokë, me zemër dhe me topin!”

Në prag të përballjes së kthimit kundër Arsenalit, pas humbjes 3-0 në “Emirates Stadium”, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka folur me optimizëm dhe vendosmëri në konferencën për shtyp.

Italiani beson se gjithçka është e mundur në “Bernabéu”, një stadium që, sipas tij, ka parë mrekulli futbolli më parë.

“Tifozët janë shumë të rëndësishëm, na kanë ndihmuar gjithmonë. Nesër do të kemi nevojë për një ndeshje të jashtëzakonshme për të ndryshuar fatin e kësaj sfide,” tha Ancelotti. “Do të luajmë me kokë, me zemër dhe me topin.”

Ai e vlerësoi atmosferën unike të “Santiago Bernabéu”-s si një faktor që shpesh ndryshon rrjedhën e lojës: “Këtu ndodhin gjëra që nuk ndodhin diku tjetër.”

I pyetur për të ardhmen e tij, tekniku italian u tregua i qartë: “Nuk mendoj se ajo varet nga rezultati i nesërm. Jam i motivuar dhe dua që lojtarët të jenë të qetë dhe të fokusuar.”

Ancelotti komentoi gjithashtu deklaratat e Thomas Partey për presionin në “Bernabéu”, duke u përgjigjur me ironi: “Fusha është e njëjtë, bari ka të njëjtën ngjyrë, por gjithçka tjetër është ndryshe.”

Trajneri tha se nuk ka “as nën mëngë”, por do të kërkojë një ndeshje intensive dhe me përqendrim të lartë. “Për të përmbysur këtë sfidë, kemi nevojë për cilësi, përqendrim dhe performancë të plotë – si fizike, ashtu edhe taktike.”

Lidhur me formën e Mbappé-së, Ancelotti tregoi se ai është i gatshëm: “Është i zhgënjyer, por u stërvit shumë mirë. Kemi nevojë për të, sidomos për të shënuar.”

Në fund, me humorin që e karakterizon, italiani “ruajti sekretin” për pozicionin e Valverde-s: “E di se ku do të luajë, por nuk do t’jua them!” – tha mes të qeshurash. Real Madrid duket gati për një tjetër mbrëmje të madhe në Europë.