zoom

Bota

Analiza e VOA: Çfarë mund të ndodhë pas shpalljes fajtor të Donald Trump?

Shpallja fatjor e Donald Trumpit për 34 vepra penale shënon fundit e procesit historik gjyqësor penal ndaj ish Presidentit, por beteja për këtë çështje vazhdon.

Tani është koha e dënimit dhe mundësisë së dënimit me burg. Një proces i gjatë ankimimi. Dhe në të njëjtën kohë, kandidati i pritshëm republikan për president, duhet të vazhdojë të përballet me tre çështje të tjera penale dhe me fushatën elektorale, në fund të së cilës, ekziston mundësia që të kthehet përsëri në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Juria në Manhatan e shpalli zotin Trump fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila thotë se kishte patur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin.

Zoti Trump u tha gazetarëve se ishte “i pafajshëm”.

Disa nga elementët kryesorë që duhet mbajtur parasysh pas vendimit të jurisë.

Shpallja fatjor e Donald Trumpit për 34 vepra penale shënon fundit e procesit historik gjyqësor penal ndaj ish Presidentit, por beteja për këtë çështje vazhdon.

Kur caktohet masa e dënimit? Gjykatësi njoftoi se do ta shqiptojë vendimin më 11 korrik, vetëm disa ditë para se republikanët ta zgjedhin zyrtarisht si kandidat për president.

E drejta e zotit Trump për të votuar: Ai mund të dënohet dhe të banojë në Florida, por përsëri mund të votojë, për sa kohë nuk është në burg në shtetin e Nju Jorkut.

A do të ndikojë dënimi i zotit Trump në zgjedhjet presidenciale? Mbetet e paqartë nëse shpallja e tij fajtor për vepra penale do të ketë ndikim tek votuesit.

BURGIM?

Pyetja e madhe që shtrohet tani është nëse zoti Trump mund të burgoset. Përgjigja nuk dihet. Gjykatësi Juan Merchan njoftoi se masën e dënimit do ta shqiptojë më 11 korrik, vetëm disa ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan, ku zoti Trump pritet të shpallet zyrtarisht kandidati i Partisë Republikane për president.

Akuza e falsifikimit të të dhënave të biznesit është një nga veprat më të lehta penale në shtetin e Nju Jorkut. Për këtë vepër parashikohet dënim deri në katër vjet burg, megjithëse dënimi në fund i takon gjykatësit dhe nuk ka asnjë garanci se ai mund të vendosë që zoti Trump të qëndrojë pas hekurave.

Masat e të tjera të dënimit mund të përfshijnë gjobë ose dënim me kusht. Po ashtu ekziston mundësia që gjyqtari të lejojë zotin Trump të mos vuajë asnjë masë dënimi derisa të ketë përfunduar i gjithë procesi i apelimit të vendimit.

Dënimi nuk e ndalon zotin Trump që të vazhdojë fushatën e tij. Bashkëshortja e djalit të ish-presidentit Trump, Lara Trump, e cila është bashkëkryetare e Komitetit Kombëtar Republikan, tha në një intervistë në rrjetin Fox News të enjten se nëse zoti Trump dënohet dhe nëse dënohet me arrest shtëpie, ai do t’i bënte virtualisht tubimet elektorale dhe takimet e tjera në kuadër të fushatës.

MUNDËSITË PËR APELIMIN E VENDIMIT

Pasi zoti Trump të dënohet, ai mund të kundërshtojë dënimin në gjykatën e apelit dhe ndoshta në gjykatën e lartë të Nju Jorkut. Avokatët e Trump tashmë kanë hedhur bazat për të apeluar, duke kundërshuar akuzat dhe vendimet gjatë procesit gjyqësor penal.

Avokatët e e zotit Trump e kanë akuzuar gjyqtarin Juan Manuel Merchan për njëanshmëri, duke përmendur faktin se e bija drejton një kompani, klientë të së cilës, ndër të tjerë kanë qenë Presidenti Joe Biden, Nën Presidentja Kamala Harris dhe demokratë të tjerë. Gjykatësi refuzoi kërkesën e mbrojtjes për t’u larguar nga çështja, duke u shprehur i sigurt në “aftësinë për të qenë i drejtë dhe i paanshëm”.

Avokatët mund të hedhin në apel vendimin e gjykatësi për të kufizuar dëshminë e një eksperti.

Avokatët e zotit Trump donin të thërrisnin për të dëshmuar Bradley A. Smithin, një profesor i juridikut të cilin ish-presidenti Bill Clinton e pati emëruar në Komisionin Federal Zgjedhor (FEC). Mbrojtja synonte të rrëzonte pretendimin e prokurorisë se pagesat janë bërë në shkelje të ligjeve për financimin e fushatave elektorale.

Por në fund, pala mbrojtëse nuk e thirri atë për të dëshmuar pasi gjykatësi Merchan vendosi që zoti Smith mund të jepte informacion në lidhje me Komisionin Federal Zgjedhor, por, atij nuk i lejohet të interpretonte se si ligjet për financimin e fushatave zgjedhore lidhen me faktet e procesit gjyqësor ndaj zotit Trump, apo të jepte ndonjë opinion, nëse veprimet për të cilat akuzohet ish-presidenti mund të kenë shkelur apo jo këto ligje.

Mbrojtja mund të argumentojë gjithashtu se anëtarët e jurisë u lejuan në mënyrë të papërshtatshme të dëgjonin dëshmi nga aktorja pornografike Stormy Daniels në lidhje me marrëdhënien e pretenduar intime me zotin Trump me të në vitin 2006./ Zëri i Amerikës