Aplikacion
Gazetari Osman Stafa ka denoncuar një situatë alarmante në sistemin shëndetësor publik në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një skandal që po i kushton qytetarëve jo vetëm financiarisht, por edhe me jetë.
Në një intervistë në Kafe Shqeto në Syri TV, ai deklaroi se spitalet publike nuk po ofrojnë shërbimet bazë, duke i detyruar pacientët të drejtohen drejt sektorit privat.
“Shkon në spital dhe nuk bën analiza. Të thonë: ‘prit muajin tjetër’. S’ka gjë nëse është urgjencë… le të të bjerë infarkti, do presësh,” – u shpreh ai.
Sipas Stafës, në 10 ditët e fundit të çdo muaji analizat ndalen për shkak të kufizimeve buxhetore, ndërsa edhe rastet urgjente nuk përjashtohen nëse është tejkaluar limiti i shërbimeve.
“Thuhet se ka analiza urgjente, por nëse mbushet volumi, nuk janë të detyruar t’i bëjnë… kjo është realiteti,” – theksoi gazetari.
Ai shtoi se qytetarët përballen me pritje të gjata për analiza, që shpesh zgjasin deri në një muaj e gjysmë, duke i shtyrë drejt klinikave private.
“Në 2026 nuk mund të bësh analiza në fund të muajit. Pret një muaj e gjysmë… dhe pastaj detyrohesh të shkosh te privati.”
Stafa solli edhe raste konkrete të kostove të papërballueshme për pacientët, duke përmendur se për një PET-Scan shumë qytetarë udhëtojnë jashtë vendit, duke paguar deri në 2000 euro, ndërsa për ndërhyrje jetike si trombektomia tarifat në privat arrijnë në 30 mijë euro.
“Nëse i ke 30 mijë euro, shkon te privati. Nëse jo, përballesh me vdekje ose paralizë.”
Një tjetër problem i ngritur prej tij është mungesa e lenteve në QSUT prej më shumë se një viti, çka detyron pacientët të paguajnë qindra euro në klinika private.
“Një i moshuar nuk pret dot një vit për një lente. Nuk pret dot.”
Sipas gazetarit, shumë pavione në spitalet publike po funksionojnë si “urë” drejt sektorit privat, pasi nuk ofrojnë shërbimet e nevojshme.
“Privati ka lulëzuar… spitali publik është kthyer në një agjenci që orienton pacientët te privati.”
Në përfundim, Stafa theksoi se shëndetësia nuk duhet të trajtohet si çështje politike, duke bërë thirrje për reagim të menjëhershëm.
“Sëmundja nuk pyet për bindjet politike. Spitali duhet të japë shërbim, jo justifikime.”