zoom

Bota

Alarmi i spiunazhit gjerman! Terroristët e Al Kaeda kanë në shënjestër princ Harry, ja shkaku

Autoritetet Hetuese gjermane kanë dhënë alarmin se organizatat islamike po bëjnë thirrje për vrasjen e princit britanik Harry. Ky alarm vjen pas raportit të situatës nga Zyra Federale e Policisë Kriminale.

Vetëm një javë më parë, shkruan tabloidi BILD, portali mediatik i al-Kaedës “AS-Sahab Media Foundation” i bëri thirrje popullatës myslimane në mbarë botën për një sulm ndaj princ Harryt.

Qëllimi, sipas gazetës, është të “përdoren sulme dhe revolucione të përgjakshme për të mbështetur palestinezët”. Organizata terroriste Hamas duhet të mbështetet me një goditje.

Por pse Princi Harry?

Princ Harry mbushi me zemërim islamikët radikalë shumë kohë më parë. Harry shërbeu dy herë si bashkë-pilot helikopteri në Afganistan (midis 2007 dhe 2013) – dhe zbuloi në autobiografinë e tij “Reserve” (botuar në fillim të këtij viti) se si vrau 25 talebanë atje.

Në përgjigje, talebanët e akuzuan Harry-n për krime lufte, ndërsa thanë: Ai nuk vrau 25 terroristë talebanë, por civilë.

Në një deklaratë pak pas botimit të librit thuhej: “Ata që vratë nuk ishin pengë, ishin njerëz, kishin familje që prisnin kthimin e tyre. Ne kontrolluam dhe zbuluam se nuk kishte viktima në Helmand në ditët kur Princi Harry përmendi vrasjen e 25 talebanëve.”

Sido që të jetë, zbulimi i Harrit ka bërë armiq që tani po e kërcënojnë hapur. Hetimi gjerman e sheh thirrjen e re si një “akt simbolik hakmarrjeje dhe ndëshkimi për të gjithë mbështetësit e Izraelit” në luftën aktuale të Izraelit kundër barbarëve të Hamasit.

Sipas tyre, “Harry ishte “fajtor” gjatë misionit të tij në Afganistan, prandaj, thuhet se “ekzekutimi” i tij është një “qëllim i kënaqshëm”.”

Jo vetëm Al-Kaeda, por edhe ISIS po përdor luftën aktuale të Lindjes së Mesme për të nxitur urrejtje kundër Perëndimit. Dega siriane e Al-Kaedës tha se konflikti ishte një mundësi për të mposhtur armikun.

Vetëm nga mesi i nëntorit ISIS publikoi një video-udhëzues të titulluar “Hapat praktikë në luftën kundër hebrenjve”.

Islamikët thërrisnin gjithashtu: “Luftoni kundër atyre jobesimtarëve që janë pranë jush!” /ZOOM.AL/