zoom

Aktualitet

Akuza për falsifikime pronash, lihet në burg kreu i Kadastrës Gjirokastër. I gjendet dhe databaza

Arrest me burg për ish-drejtorin e Hipotekës Gjirokastër, Florion Taçi. Masa e arrestit është dhënë sot nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ditën e sotme.

Ish-zyrtari dhe bashkëpunëtori i tij, i dyshuari Alban Memishaj, akuzohen për falsifikim dokumentesh të disa pronave, duke përdorur vulën e një subjekti të palicensuar nga organet kompetente.

Ka qenë një operacion i përbashkët i mirëkoordinuar mes Policisë së Tiranës, asaj të Gjirokastrës, Prokurorisë dhe Gjykatës së Faktit Gjirokastër që kanë finalizuar aksionin për arrestimin e Taçit dhe ish-bashkëpunëtorit të tij në Kadastrën e Gjirokastrës Alban Memishaj.

Policia ka ushtruar kontrolle në zyrën e Taçit në Gjirokastër, ku ka sekuestruar edhe dokumente të shumta që i shfrytëzonte, e që kishin të bënin me të gjithë databazën e Kadastrës së Gjirokastrës.

Kjo cilësohet nga hetuesit si një shkelje e paprecedentë. Njëkohësisht Taçi dyshohet se kishte akses në këtë databazë online. /ZOOM.AL/