Aplikacion
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar rreth 4 tonë produkte bimore në një magazinë në zonën e Shkozës, në Tiranë, pas një denoncimi të mbërritur pranë institucionit.
Kontrolli u ushtrua në subjektin në pronësi të mjekut popullor Ylli Merja, ku inspektorët konstatuan një sasi prej 3984 kg bimësh të thata të miksuara, të ambalazhuara në thasë plastikë, por pa etiketa, pa afat përdorimi dhe pa informacion mbi origjinën apo përbërjen e tyre.
Për këto shkelje, AKU vendosi bllokimin e menjëhershëm të produkteve në ambientet e magazinës, si dhe një gjobë prej 200 mijë lekësh për mosrespektim të kërkesave të gjurmueshmërisë.
Nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi gjithashtu mungesa e sistemit të vetkontrollit, konkretisht skedave të monitorimit gjatë procesit të miksimit. Për këtë shkelje, ndaj subjektit u vendos një tjetër gjobë prej 100 mijë lekësh.
AKU u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast që cenon sigurinë ushqimore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për mbrojtjen e shëndetit publik./ Zoom.al