zoom

Aktualitet

Afganët e Shëngjinit në protestë, resorti ku qëndrojnë ka 5 muaj pa u paguar: Na kanë harruar!

Një pjesë e refugjatëve afganë të strehuar në Shëngjin, kanë protestuar këtë të mërkurë, duke kërkuar evakuimin jashtë Shqipërisë.

Ata ndodhen në një resort që prej shtatorit të shkuar, por që nga janari, një nga shoqatat që financon qëndrimin e tyre në strukturën akomoduese, nuk ka paguar detyrimet financiare.

Në këto kushte afganët kërkojnë që të gjendet zgjidhje, pasi druhen se mund të ngelen mes 4 rrugëve.

Burra, gra e fëmijë kanë dalë në protestë ndërsa në duar mbanin parulla, në të cilat shkruhen mesazhe të tilla si: “Amerika është përgjegjëse për afganët,” “Na kanë harruar, duam të na evakuojnë,” “Ne jemi të barabartë me Ukrainën,” etj.

Kërkesa për t’u larguar është bërë nga vetë afganët, edhe pse drejtuesit e resortit shprehen se nuk është gjetur një zgjidhje me autoritetet.

“Kemi një problem financiar me një prej fondacioneve dhe po bashkëpunojmë të gjejmë një rrugë të përbashkët për kryerjen e pagesës. Nuk kemi marrë vendim për t’i nxjerrë forcërisht ose për ti dëbuar nga resorti. Pagesat nuk janë kryer që nga janari. Po diskutohet pjesa e pagesës. Është futur dhe qeveria në negociata”, tregon ai.

Administratori thotë se janë rreth 80 dhoma, dhe 348 shtetas afganë të cilët janë strehuar në këtë resort.

Organizata që merret me trajtimin e tyre ka kërkuar që të gjenden disa shtëpi të tjera për t’i akomoduar. Por nuk dihet se ç’do të ndodhë konkretisht.

Refugjatët afganë thonë se ndihen të diskriminuar dhe kërkojnë ndihmën e shtetit amerikan.

Ndërkohë, po shihet një për të gjetur një mënyrë në negociata, ku është përfshirë edhe qeveria shqiptare, që të paguhen debitë që ata të vijojnë të qëndrojnë në hotel.

Prej muajit shtator të vitit 2021 në zonën turistike të Shëngjinit janë akomoduar 2 mijë shtetas afganë, të cilët u larguan nga vendi tyre pas ardhjes në pushtet të talebanëve.

Disa prej tyre, kanë ikur në SHBA dhe vende të tjera, por ende nuk dihet fati i personave të mbetur në Shqipëri.

Pak ditë më parë në Kosovë, dhjetra refugjatëve iu refuzua viza, pasi nuk kishin kaluar kontrollin e sigurisë, ndërkohë SHBA tha se janë të lirë të jetojnë në një shtet europian.

Grupi i parë i refugjatëve afganë prej 121 personash, mbërriti në Shqipëri mëngjesin e 27 gushtit të vitit të shkuar.

Pas tyre, erdhën edhe disa grupe të tjera, të cilat u shpërndanë mes Tiranës, Durrësit dhe Lezhës.