Aplikacion
Në fundjavë ishte zëvendësja e tij, ministrja Belinda Balluku që shkoi në aeroport dhe lëvdoi punën e mirë që po bëhej për zgjerimin e terminalit, për të pritur “lumin” e turistëve që po “përmbyt” Shqipërinë nga veriu në jug.
Kështu ndodhi kur aeroporti, i cili i është dhënë me koncesion shoqërisë “Kastrati Group”, të një prej biznesmenëve më të afërt me kreun e qeverisë, publikoi lajmin se kishte pritur pasagjerin e 7 mijtë. Rama nxitoi sërish të publikonte të njëjtën video që ishte prodhuar nga koncesionari.
Miliona turistët që kanë hyrë në Shqipëri nuk kanë ardhur vetëm nga Rinasi. Por çuditërisht nuk e kemi parë kryeministrin asnjëherë të shkojë nëpër pikat kufitarë të Morinës që pret qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, të Hanit të Hotit, Muriqanit, Kapshticës, Kakavijës, Durrësit apo Vlorës.
Edhe nga këto pika kufitare, njësoj si ajo e Rinasit, vijnë e ikin miliona turistë. Por kryeministri nuk e ka parë me “interes për publikun” apo si “reklamim pozitiv për Shqipërinë” të publikojë punën që bëhet në këto porta hyrëse e dalëse të vendit.
Aq më tepër që të gjitha këto pika janë shtetërore e nuk menaxhohen nga ndonjë kompani private dhe Rama do të ishte i zhveshur edhe nga dyshimet se po përdor reputacionin e tij si kryetar i një qeverie për të reklamuar një biznes privat.
Por çfarë e lidh kryeministrin kaq shumë me koncesionarin e Aeroportit të Tiranës?
Qeveria e tij i zgjati kontratën këtij koncesioni në 20 vjet me justifikimin se shoqëria “Kastrati Group” do të bënte 100 milionë euro investime. 20 vitet, sipas argumentimit të qverisë, do t’i duheshin “Kastratit” për të marrë mbrapsht investimin 100 milionësh dhe një fitimi të këtij investimi.
Por sipas të dhënave të vetë shoqërisë, 100 milionë euro ajo i ka fituar nga Aeroporti vetëm në 3 vitet e para të kontratës. Këto shifra i shtojnë dyshimet se kontrata koncesionare u zgjat vetëm në interes të kompanisë private, e cila do të fusë në xhepat e saj fitimet prej qindra miliona eurosh, për 17 vjet të tjera.
Mbi kontratën ka dyshime edhe përsa i përket investimit. Ekspertë të kontaktuar nga Zoom.al kanë shpjeguar se investimet e përshkruara në kontratë i kanë kostot e fryra. Deri tani, koncesionari ka ndarë terminalin ekzistues të Aeroportit dhe vetëm pas lumit të kritikave në disa media onlinë dhe në rrjetet sociale ka nisur ta zgjerojë atë, siç tregoi ministrja Balluku të shtunën.
Zoom.al i është drejtuar disa herë me kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të drejtuar nga Balluku, si palë në firmosjen e kontratës me Kastratin, për të kuptuar se sa përqind e investimit është kryer apo nëse janë respektuar afatet, por nuk ka marrë përgjigje.
Ekspertët ndërkohë kanë shpjeguar se me 100 milionë euro aeroporti duhet të kishte ndryshuar rrënjësisht. “Me aq para duhet të ishte bërë prej floriri” – thonë ata për Zoom.al.
Megjithatë, qasja e qeverisë ndaj koncesionit dhe dyshimeve se përse kontrata u zgjat me 20 vjet, është e kuptueshme që nuk është ajo e kërkesës së llogarisë ndaj “Kastrati Group”. Vetë kryeministri dhe të besuarit të tij në qeveri mezi presin rastin të tregojnë se sa sukses ka koncesioni i tyre kur në të vërtetë ekspertët thonë se pjesa dërrmuese e suksesit ka të bëjë me xhepin e koncesionarit.
Kryeministri flet për boom turistik nga i cili, sipas tij, përfiton vendi dhe ekonomia, ashtu siç tha dje për aeroportin. “Më shumë ekonomi, më shumë punë, më shumë prodhim vendas, më shumë tregti, më shumë konsum, më shumë të ardhura për vendin e për familjet e përfshira në zinxhirin e gjatë të vlerës së industrisë së turizmit” – shkruante ai.
Në të njëjtën ditë, kreu i shoqatës së tur-operatorëve, Kliton Gërxhani, deklaronte publikisht se nga ky “boom” po përfitojnë vetëm ata që japin shtëpi me qira dhe supermarketet, sepse turistët e huaj që vijnë në Shqipëri nuk shpenzojnë.
“Dominon shumë turisti i tipit të “Air BnB”. Të jemi realistë, ajo që po ndodh është që po përfitojnë supermarketet dhe hoteleria. Ne mund të na jetë rritur 20 % punë, pavarësisht se kjo punë nuk konvertohet në të ardhura.”
Edhe të dhënat e INSTAT treguan se ky “boom” prej 10 milionë turistësh nuk solli të ardhura të konsiderueshme, ndryshe nga sa treguan të dhënat financiare të koncesionarit të Aeroportit, i cili, nga ky “boom” duket se është i vetmi që do të vazhdojë të përfitojë./ Zoom.al