zoom

Aktualitet

A u dekonspirua operacioni i SPAK, pse s’u arrestuan shefat e Policisë dhe të grupeve kriminale…?

U lëshuan 50 fletë-arresti, por u kapën shumë pak të dyshuar, pasi pjesa më e madhe e tyre janë arratisur para aksionit apo më herët, përfshi ish-deputetin Arben Ndoka.

A u dekonspirua operacioni i SPAK? Dyshimet ekzistojnë dhe madje forcohen pasi mësohet se të rekrutuar nga kartelet kriminale ishin edhe ish-drejtorë apo shefa policie në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë.

Një listë e mbushur me emra VIP të botës së krimit: Nga “mbreti i kumarit” Ervis Martinaj dhe aleatët e tij ish-deputeti Arben Ndoka, Bajrat e Shkodrës, biznesmeni Gjoka dhe deri te Avdylajt, tek armiqtë e përbetuar si vëllezërit e klanit “Duka” në kryeqytet, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj e Indriti Dokle të “Bandës së Durrësit”, Durim Bami i Fushë-Krujës, “Visi i Pojës” dhe të tjerë. Grupe kriminale që i ngrinin prita dhe hakmerreshin ndaj njëri-tjetrit, ose paguanin qindra mijëra euro te killerat për të realizuar porositë.

Në operacionin e SPAK ku u lëshuan 50 urdhër-arreste, 2 ishin për dy punonjës policie dhe 2 për ish-efektivë të RENEA-s. Asnjë nga këto të katërt nuk u arrestua. Dy punonjësit e Policisë janë Henerigert Mitri dhe Klodian Shahini.

Henerigert Mitri aktualisht mban postin e shefit të sektorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe më datë 17 maj të premten që nisi operacioni për arrestimet, sipas burimeve, Mitri nuk është është paraqitur në punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku për të SPAK kishte lëshuar një urdhër-arresti.

Po ashtu edhe Klodian Shahini, i cili aktualisht punonte në sallën operative të Policisë së Dibrës nuk është paraqitur në punë më datë 17 maj, në ditën që po zhvillohej operacioni për arrestimet. News24 mëson se në megaoperacionin e SPAK për arrestimet e personave të shpallur në kërkim, si rrallëherë nuk kanë marrë pjesë Forcat Operacionale. /ZOOM.AL/