zoom

Aktualitet

Si del emri i Ardi Veliut në përgjimet e SKY ECC dhe kush ishte njeriu më i besuar i tij në Polici

Dosja e bujshme e SPAK-ut, përveç 50 të akuzuarve me fletë-arresti, të arrestuar dhe në kërkim, pjesë e 7 organizatave kriminale të rrezikshme, ka edhe ish-shefa, shefa dhe deri ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të implikuar direkt apo indirekt.

Një prej tyre ka qenë ish-shefi i Operacionales, i arrestuari që nga viti i kaluar, Oltion Bistri, që gjithashtu ka mbajtur detyra të larta, dy herë drejtor qarku, i promovuar katër herë me ngritje nga ish-kryepolicët, nga viti 2019 dhe deri më 2022.

Emri i tij del shpesh në dosjen voluminoze të “Metamorfoza” dhe informacionet që u jepte ai grupeve kriminale të drejtuara nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Bajri, Ervis Martinaj dhe më gjerë, për t’i shpëtuar përgjimeve të Policisë dhe Prokurorisë apo operacioneve që bëheshin ndaj tyre. Sikurse informacione edhe për armiqtë e secilit dhe lëvizjet e tyre.

Mes tyre është edhe emri i Durim Bamit, për të cilin ishin paguar deri në 1 mln euro nga ish-deputeti socialist i Lezhës, Arben Ndoka, në arrati dhe që besohet se fshihet në Dubai, me motiv hakmarrjen për vrasjen e të vëllait Aleksandër Ndoka. Dhe për këtë kishte pajtuar Ervis Martinajn dhe Emiljano Shullazin, si dhe Bajrin e Shkodrës.

Por fal lidhjeve që kishte në Polici, duket se Durim Bami ka shpëtuar nga disa atentate dhe sulme, por edhe nga hetimet e Prokurorisë.

Në faksimilen karshi është një pjesë nga faqja 145 e dosjes së bujshme penale të SPAK, ku flitet edhe për ish-kryepolicin Ardi Veliu në periudhën e vitit 2021, lidhjet e tij të forta me shefat e policisë që emëronte dhe këta të fundit me influencat apo implikimet e tyre duke marrë ryshfete për të ndihmuar organizatat kriminale.

Aty flitet se si Durim Bami, ndërkohë që ishte kthyer shënjestër e klaneve kriminale për eliminim, bisedon me Altin Morinën, që t’i marrë informacione nga Policia për çështje penale ndaj tij. Teksa Altini i shpjegon situatën, Durimi i kujton çështjen e makinës me xhama të errët.

Kurse Altini i shpjegon se mund të ishte për vendosje përgjuesi dhe se duhet të takonte atë “mikun te Komisariati nr. 2”.

Bëhet fjalë për bisedë të përgjuar të muajit janar të vitit 2021 në platformën SKY ECC nga ana e SPAK, që disponohet si provë. Dhe shefi që kishte lidhje dhe ishte njohje e Altin Morinës në atë kohë ka qenë pikërisht Oltion Bistri. Altini i këshillon Durim Bamit që të shkojë ta takojë dhe “ti çojë edhe kafe” e të sqarohet. Ky person i kishte thënë se po të donte mund ta hiqte çështjen që kishte ndaj Durimit.

Gjithashtu “shefi” i kishte porositur grupet kriminale që të mos flisnin në telefona sepse përgjoheshin. Pra Bistri sipas këtij materiali bënte spiunimin te kartelet apo rrjedhjen e informacionit.

Dhe më tej Altini i kujton Durimit se “shefi” ishte lidhje e fortë e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në dosje cilësohet si “krahu i djathtë” i tij. Referuar po kohës dhe materialit të përgjimit, kryepolic ka qenë Ardi Veliu, i larguar nga detyra vetëm vjeshtën e vitit 2021, pak pasi e kishte promovuar Bistrin nga shef komisariati në Tiranë, në drejtor të Policisë së Qarkut Durrës.

Tani mbetet të verifikohet nga SPAK se sa të forta ishin lidhjet e Velit me Bistrin dhe më gjerë, deri tek njohjet e mundshme të ish-kryepolicit me anëtarë të grupeve kriminale.

SPAK deri tani ka sekuestruar pasuri me vlerë mbi 3 mln euro në pronësi të Bistrit, të tundshme dhe të patundshme. Kryesisht janë 10 apartamente, 22 dyqane, një garazh, një vilë, truall dhe makinë, që dyshohet se i ka vënë gjatë dhjetë viteve të fundit, me lidhjet dhe influencat me grupet kriminale, për të cilat akuzohet aktualisht..

Më 7 qershor 2019 ai u emërua si shef i Komisariatit nr. 2 nga ish-kryepolici Veliu, deri më 5 korrik 2021 kur u promovua po nga ai si kryepolic i Durrësit. Për shkak të shkallës së lartë të kriminalitetit atë verë në Durrës dhe sasive të drogës, pas ardhjes në post të Gledis Nanos, në tetor të vitit 2021 transferohet po drejtor drejtorie në Lezhë dhe pas 5 muajsh aty me promovimin e radhës si shef i Zyrës Operacionale në Policinë e Shtetit, pra te përgjimet dhe aksionet, duke pasur lidhje direkte me kartelet kriminale. /ZOOM.AL/