zoom

Blog

A ka vdekur komunizmi?

A ka vdekur komunizmi? Kuptohet menjëherë se pamja ka ndryshuar, por thelbi është po i njëjtë. Komunistët e sotëm nuk duan që të diskutohet për të djeshmen, se do dalin në dritë fëlliqësitë.

Nuk do merremi shumë me komunizmin, që në fakt as komunizëm nuk ishte, por thjesht enverizëm, diktaturë, monizëm. As me të ashtuquajturat “të mira të komunizmit”. Natyrisht u bë elektrifikimi, u luftua analfabetizmi, u ngritën vepra madhore anekënd vendit, u shfrytëzuan më mirë pasuritë kombëtare, pati shkolla dhe shërbim shëndetësor, pati një ushtri të pajisur, hidrocentrale, fabrika, uzina, hekurudha, porte, aeroporte. U bë emancipimi i gruas. Ishte qetësi.

Por të gjitha këto erdhën me një kosto shumë të madhe: kur ra regjimi komunist zbuluam se kishim shumë borxhe, se ishim të palarë, të pangrënë e të paparë. Gratë shtatzëna u ngjitën anijeve për t’ia mbathur nga sytë këmbët.

Ky ishte dëshpërimi i diktaturës: Eksodi masiv. Edhe vetë komunistët e kanë pranuar se lufta e klasave ishte e tepruar. E tepruar është pak: u vranë mijëra njerëz, ca me gjyq e ca pa gjyq fare. U burgosën për një fjalë goje, e u internuan mijëra të tjerë.

U godit feja dhe njerëzit e fesë. U goditën intelektualët. Madje u goditën dhe vetë komunistët. Fshati lëngonte për të ngrënë. Paaftësia mbretëronte. Servilizmi, spiunllëku, klanet dhe nepotizmi bënin ligjin. Njeriu humbi shpirtin. U bë materialist.

Dhe të gjitha këto krime nuk u dënuan. Ndaj sot livadhisin komunistët dhe bijtë e tyre. Ata trashëguan pushtetin në të gjitha fushat e jetës. Shikoni filmat, shikoni mentalitetin komunist si mbizotëron, shikoni propagandën. Duket sikur koha ka mbetur në vend. Edhe sot si dje, intelektualët janë lënë mënjanë. Sundon militantizmi dhe paaftësia e servilizmi. Prona nuk u kthye, të përndjekurit ende përndiqen. Dekomunistizimi nuk u bë. Edhe në organet e reja të drejtësisë vijojnë mbeturinat e komunizmit. Prapë sot shumica vuan, si dje. Komunistët rrëmbyen çdo pasuri. Njeriu nuk ka më vlera, si dje.

Por më e keqja nga të gjitha është nostalgjia dhe brezat e rinj që nuk dinë asgjë. Varfëri, padituri, deformim. Prapë jemi prapa. E pra, kjo utopi ende vazhdon të lërë gjurmë në jetën tonë. E pra, e kaluara nuk duhet harruar, as anashkaluar, se ikën në këmbë e vjen kaluar, nëse ndërkohë nuk është dënuar.