zoom

Bota

A ishte kjo arsyeja pse ra rrjeti? Intervista bombë e ish-menaxheres së Facebook-ut

Pasuria personale e Mark Zuckerberg ka rënë me gati 7 bilionë dollarë në pak orë, duke e rrëzuar atë nga lista e njerëzve më të pasur në botë, pasi një ish-punonjëse zbuloi politika të gabuara nga kompania, që çuan në ndërprerjen dhe nxjerrjen jashtë linjë të aplikacioneve të lidhura me Facebook.

Sipas Bloomberg, më 13 shtator, Wall Street Journal filloi të botojë një seri tregimesh të bazuara në një sasi dokumentesh të brendshëm, duke zbuluar se Facebook ishte në dijeni të një game të gjerë problemesh me produktet e tij, si dëmi që Instagram i bënte shëndetit mendor të vajzave adoleshente dhe keqinformimi rreth trazirave të 6 janarit në Kapitol, duke minimizuar çështjet në publik.

Raportet kanë tërhequr vëmendjen e zyrtarëve qeveritarë dhe të hënën, sinjalizuesja zbuloi veten. Identiteti i sinjalizueses së Facebook-ut, e cila nxori dhjetëra mijëra faqe kërkimesh dhe dokumentesh të brendshme, që çoi në një stuhi kritikash për kompaninë e mediave sociale javët e fundit, u zbulua në “60 Minuta” të dielën mbrëma si Frances Haugen.

Ish-menaxherja 37-vjeçare e Facebook, e cila punoi me çështjet e integritetit qytetar në kompani thotë se dokumentet tregojnë se Facebook e di se platformat e tij janë përdorur për të përhapur urrejtje, dhunë dhe dezinformata dhe se kompania është përpjekur t’i fshehë ato dëshmi.

“Gjëja që pashë në Facebook vazhdimisht ishte se kishte konflikte interesi midis asaj që ishte e mirë për publikun dhe asaj që ishte e mirë për Facebook, dhe Facebook pa pushim zgjodhi të optimizonte për interesat e veta, si të fitonte më shumë para“, tha Haugen.

Si përgjigje, Facebook ka theksuar se çështjet me të cilat po përballen produktet e tij, përfshirë polarizimin politik, janë komplekse dhe nuk shkaktohen vetëm nga teknologjia.

“Unë mendoj se njerëzit qetësohen dhe ngushëllohen nëse dëgjojnë se ka një shpjegim teknologjik ose teknik për çështjet e polarizimit politik në Shtetet e Bashkuara,” tha Nick Clegg, nënkryetari i Facebook për çështjet globale.