Aplikacion
Andrei Kozyrev, i cili shërbeu si ministër i jashtëm në kohën e Presidentit Yeltsin në vitet 1990, argumentoi në një analizë të postuar në Twitter, se pushtimi i Putinit ishte imoral, por jo irracional.
“Kërcënimi i luftës bërthamore është një shembull tjetër i racionalitetit të tij,” tha ai. “Kremlini e di se mund të përpiqet të nxjerrë lëshime, qoftë nga Ukraina apo Perëndimi, duke pwrdorur kartën e fundit të mbetur në kuvertë: armët bërthamore.
“Unë besoj fuqishëm se ai nuk do të përdorë qëllimisht armë bërthamore kundër Perëndimit. E them qëllimisht, sepse granatimet pa dallim pranë një centrali bërthamor mund të shkaktojnë një katastrofë të paqëllimshme bërthamore në Ukrainë.”
Ish-diplomatit, 70-vjeçar, i njihet merita për formësimin e politikës së jashtme të Rusisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Kritikët e tij argumentojnë se ai nuk arriti t’i rezistojë zgjerimit të NATO-s dhe bombardimeve të aleancës ndaj serbëve të Bosnjës gjatë luftës së Bosnjës 1992-95. Ai tani jeton në Miami.
Kozyrev tha se ai besonte se Putini kishte pushtuar Ukrainën bazuar në tre supozime të gabuara: se Perëndimi qëndron pas revolucionit të Ukrainës 2013-14 kundër presidentit pro-Kremlinit Viktor Janukoviç; se fondet e alokuara për modernizimin e ushtrisë ruse ishin shpenzuar mirë; dhe se Perëndimi ishte bërë i dobët. Kjo e fundit u ilustrua nga përgjigja e SHBA-së ndaj aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014 dhe luftës civile në rajonin e Donbasit, më pas tërheqjes kaotike të SHBA-së nga Afganistani, pretendoi ai.
“Nëse besoni se të treja më sipër janë të vërteta dhe qëllimi juaj është të rivendosni lavdinë e Perandorisë Ruse, atëherë është krejtësisht racionale të pushtoni Ukrainën. Ai llogariti gabim për të treja, por kjo nuk e bën atë të çmendur; thjesht e gabuar dhe imorale”, tha ai.
Ai shtoi se korrupsioni endemik kishte bërë që ushtria ruse të kishte performancë të dobët në Ukrainë, me forcat më të mëdha të Kievit që bënë rezistencë të ashpër dhe penguan Kremlinin të kapte objektivat kryesore, 12 ditë pas fushatës ushtarake.
“Kremlini kaloi 20 vitet e fundit duke u përpjekur të modernizojë ushtrinë e tij. Pjesa më e madhe e atij buxheti u vodh dhe u shpenzua në mega-jahte në Qipro, por si këshilltar ushtarak nuk mund t’ia raportosh këtë presidentit. Kështu që ata i raportuan atij gënjeshtra. Ushtria e Potemkinit”, tha ai, duke iu referuar fshatrave të rreme që thuhet se janë ndërtuar nga i preferuari i oborrit Grigory Potemkin, si guvernator i përgjithshëm i provincave jugore të Rusisë, për t’i bërë përshtypje Katerinës së Madhe gjatë udhëtimit të saj në Krime në 1787.
“Përfundimi këtu është se Perëndimi nuk duhet të pajtohet me ndonjë lëshim të njëanshëm ose të kufizojë shumë mbështetjen e tij ndaj Ukrainës nga frika e luftës bërthamore.”/BW