zoom

In Zoom

SKANDALI/Shqipëria në krizën e çmimeve, Rama me avionin e luksit në Dubai

Prej gati dy javësh shqiptarët po përballen me një rritje galopante dhe të papërballueshme të çmimeve të karburanteve dhe të produkteve të shportës.
Shtrenjtimi i menjëhershëm i jetesës ka ngjallur një revoltë të madhe tek qytetarët, të cilët prej dy ditësh janë ngritur në protesta thuajse në gjithë Shqipërinë, duke kërkuar nga qeveria që të ndërhyjë dhe t’i mbrojë.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku, dolën të martën në një konferencë për mediat duke bërë të qartë se qeveria nuk mund të ndërhyjë duke ulur taksat, pasi kjo do të sillte një krizë edhe më të madhe, falimentimin e vet shtetit brenda dy muajsh.
Madje ministrja Balluku u bëri thirrje qytetarëve që të lënë automjetet në shtëpi dhe të mos shkojnë për të blerë pukë me makinë, për të kursyer.

Por menjëherë pas kësaj konference për shtyp Rama, Balluku dhe thuajse gjysma e kabinetit qeveritar morën një avion luksi për të udhëtuar drejt Dubait, jo në ndonjë takim të rëndësishëm zyrtar apo për të kërkuar ndihmë për krizën e çmimeve nga mbretëria e pasur arabe, por për një panair, nga ata që organizohen çdo vit në vende të ndryshme të botës.

Teksa u bënë thirrje qytetarëve të kursejnë në çdo formë, Rama dhe ministrat e tij nuk preferuan të udhëtojnë me linjën komerciale Tiranë – Dubai, si të gjithë shqiptarët e tjerë. Zoom.al mësoi se ata morën avionin qeveritar që kryeministri përdor prej dy vitesh, pavarësisht kostos së madhe financiare që ka lëvizja e tij.

Dhe shpenzimet janë vërtet luksoze, duke parë krizën që po prek xhepat e çdo familje. Dhe ja përse.

Sipas të dhënave zyrtare të agjencive të udhëtimit, një fluturim nga Tirana direkt në Dubai zgjat afro 5 orë e 30 minuta vajtje dhe po aq në ardhje. Në total, avioni qeveritar ka kryer rreth 11 orë fluturim.
Duke llogaritur se kostoja e një ore fluturimi është afro 15 mijë euro, atëherë rezulton se ky fluturim i kryeministrit dhe ministrave i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 160 mijë euro.

Por sa do t’i kushtonte Ramës dhe ministrave të tij nëse do udhëtonin me linjën komerciale Tiranë-Dubai- Tiranë?

Sipas të dhënave që ofrojnë agjencitë e ndryshme të udhëtimit, një fluturim Tiranë- Dubai kushton afro 260 euro në vajtje dhe po aq në ardhje. Pra në total një udhetim vajtje-ardhje me avion kushton rreth 600 euro për person.


Nisur nga fakti se bashkë me kryeministrin Edi Rama udhëtuan edhe rreth 20 persona të tjerë, përfshi ministrat: Blendi Çuçi, Delina Ibrahimaj, Belinda Balluku, Elva Margariti, këshilltari i tij për mediat, Endri Fuga, dy punonjës të zyrës së shtypit që bënë të mundur transmetimin e aktiviteteve të kryeministrit, si dhe disa anëtarë të ansamblit popullor, atëherë nëse do të kishin flutuar me avion komercial kostoja e udhëtimit nuk do të shkonte me shumë se 12 deri në 13 mijë euro.

Thënë thjesht, qeveria e pati në dorë që të kursente plot 147 mijë euro, por nuk e bëri.
Dhe pasi kishte shpërdoruar paratë e shqiptarëve për një udhëtim që nuk shërbeu për asgjë, kryeministri u kthye në zyrën e tyre dhe u tha sërish shqiptarëve se ata nuk po e kuptonin se ishte kohë krize, si pasojë e luftës.

Por duke parë shpenzimet e luksit të qeverisë, mesa duket, kriza është vetëm për qytetarët që duhet ta blejnë karburantin me çmime stratosferike. Për qeverinë dhe grosistët e naftës, këto duken kohë të arta. Importuesit e naftës nuk po i shkurtojnë shpenzimet e tyre, por po i mbushin xhepat si kurrë më parë.
Ndërsa qeveria, siç tha vetë kryeministri, nuk ka ndër mend të shkurtojë asnjë taksë. Ato duhet të vazhdojnë të rëndojnë vetëm mbi qytetarët, siç rëndojnë 160 mijë eurot e shpenzuara për të takuar Mohammed Alabbarin, që po kërkon t’i marrë Shqipërisë 80 mijë metra katrorë tokë në portin e Durrësit, për të ndërtuar pallate dhe jo portin e Jahteve, duke tentuar ta bëjë qeverinë aksionere, një formulë kjo që burime të Zoom.al thanë se po kundështohet nga teknikët në qeverinë e Ramës. /Zoom.al