zoom

Të gjitha

E FUNDIT/ Putin vë në gatishmëri forcat e parandalimit bërthamor të Rusisë

Presidenti Vladimir Putin urdhëroi forcat ruse të parandalimit bërthamor që të vihen në gatishmëri të lartë, në mesin e tensioneve me Perëndimin për pushtimin e tij në Ukrainë.

Duke folur në një takim me zyrtarët e tij të lartë, Putin pohoi se fuqitë udhëheqëse të NATO-s kishin bërë “deklarata agresive”, së bashku me Perëndimin, që vendosi sanksione të rënda financiare kundër Rusisë, duke përfshirë edhe vetë presidentin.

Alarmi do të thotë se Putini ka urdhëruar që armët bërthamore të Rusisë të përgatiten për gatishmëri të shtuar për t’u lëshuar. Ai i tha ministrit rus të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë që të vendosin forcat e parandalimit bërthamor në një “regjim të veçantë të detyrës luftarake”.

“Vendet perëndimore jo vetëm që po ndërmarrin veprime jomiqësore kundër vendit tonë në sferën ekonomike, por zyrtarë të lartë nga anëtarët kryesorë të NATO-s bënë deklarata agresive në lidhje me vendin tonë”, tha Putin në komentet televizive, shkruan AP.