zoom

Politikë

“M’u bëre si Ilir Meta”, Rama i kthehet Tabakut: Vallaj aritmetikën nuk ua lë juve!

Vijojnë debatet në Komisionin Hetimor për Inceneratorët mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetares së komisionit, Jorida Tabaku.

Kjo e fundit i ka kërkuar Ramës të përgjigjet me qetësi për pyetjen nëse janë financuar 100 milionë euro nga buxheti i shtetit për inceneratorët, por kryeministri i është kthyer me ironi se “M’u bëre si Ilir Meta tani me këtë fjalën “me qetësi”, çfarë është kjo tani?”

Pjesë nga debatet:

Tabaku: E kuptoj dëshirën për t’u bërë aktor.
Rama: Pse ja thua atij, ai nuk është aktor, madje ai shyqyr më në fund nuk po aktron. (Këlliçi)
Tabaku: A keni dijeni për 100 milionë euro për inceneratorët?
Rama: Kam dijeni për gjithçka që lidhet me shtetin.
Tabaku: A keni dijeni për 100 milionë euro të financuara për inceneratorët nga buxheti i shtetit?
Rama qesh: Jam shumë i keqardhur të mos i përgjigjem lutjes suaj. Ky është hall i dëshmitarit tani, se i thatë dëshmitarët se s’po thua asgjë tjetër, përveç asaj që kam thënë. Ose do më respektoni si dëshmitar e nuk do i komentoni fare ato që them unë, ose pastaj problemi do jetë që do rrimë këtu deri më 6 mars. Dua një ndjesë të vogël.

Tabaku: Rrimë edhe përtej 6 marsit.
Rama: Do mbeteni pa fushatë.
Tabaku: Çfarë është ligji për ju?
Rama: O Ermonela ta lutem, kam ardhur i gjithi i futur në lëkurën e dëshmitarit dhe kërkoj një ndjesë të vogël nga kryetarja, se më tha që nuk po them mendimin tim. Dua një ndjesë që të lehtësohem nga kjo.
Tabaku: Fokusohemi te objekti i komisionit. Çfarë është ligji?

Rama: Bëtë një koment për formimin e ligjit. Jam i vetmi në këtë hemisferë këtu pa një titull prof. dokt, se ju i keni të gjithë, unë vetëm një Bachelor kam, por më respektoni.
Tabaku: Çfarë është ligji për ju?
Rama: Zonja Tabaku, do ju lutem shumë si dëshmitar të garantoni dinjitetin dhe integritet e qenies sime. Kërkoni ndjesë, duhet ta bëni këtë.
Tabaku: Zoti dëshmitar mos na mbani peng komisionin, fokusohemi te cështjet. Në asnjë moment nuk aludova që dikush ju thotë diçka ju. Fokusohemi e mos na nxirrni nga objekti. Çfarë është ligji për ju?
Rama: Po e provoj ndryshe, juve mbase nuk keni dashur ta thoni, por e thatë. Unë ju kërkova ndjesë, tani kërkoj ndjesën tuaj, që të fokusohemi, të shpëtoni ju. Ka mundësi të më jepni një ndjesë shumë modeste për cenimin e dinjitetit?
Tabaku: E kuptoj që nuk doni ti përgjigjeni pyetjes për transfertës. Nëse i vlen komisionit, unë ju kërkoj ndjesë. Tani, 100 milionë euro janë paguar për inceneratorët nga buxheti i shtetit?

Rama: Ndjesa juaj pranohet përzemërsisht dhe unë jam në dispozicion për përgjigje. Nuk është e vërtetë ajo që thoni ju. Pse jam sot këtu, dhe shpresoj se do ja dalim, është të gjejmë ku janë, nga kanë dalë, ato 430 milionë euro. Në momentin që do gjejmë këtë, ju garantoj që do bashkohem.
Tabaku: Mos më mbyllni mikrofonin.
Rama: Këto 100 milionë euro janë fantazi e juaja, sepse buxheti i shtetit ka paguar 30.6 milionë për Elbasanin, 24.7 milionë për Fierin. Unë nuk jam shumë i fortë në aritmetikë, por vallai juve nuk ua lë, kështu që po e bëj vetë, bëjnë 55.3 milionë euro. Se ku i gjeni ju këto tjerat, nuk e di. Unë do të qëndroj shumë striktë, nuk do të hyj ku e ka origjinën kjo shifër. Më jepni një dokument, ku janë këto 100 milionë euro. Këto eurot ju i keni kshu, habitem pse 100, pse nuk e bëni 1 miliard?
Tabaku: Me qetësi, këtë batutë e kanë thënë të tjerë para jush.
Rama: Mund të jepni dokumentet. Znj. Tabaku është njësoj si t’iu pyes unë juve ku e keni blerë xhaketën 75 mijë euro? Më jep bazën.
Tabaku: Patjetër, baza e pagesës është thesari i buxhetit të shtetit.
Rama: M’u bëre si Ilir Meta tani me këtë fjalën “me qetësi”, çfarë është kjo tani? Me qetësi, me dashuri, ca qetësie tani?