zoom

Slider

Negociatat, Rama: Varemi nga një shtet që gdhihet me inate me një shtet tjetër

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk varet më prej tyre. Ai ka deklaruar se nuk preferon të vendosë baste më, pasi ky proces nuk varet nga plotësimi i kushteve i vendeve kandidate, por nga inatet apo kapriciot e shteteve anëtare, duke iu referuar kështu inatin të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Ai shtoi se vendimi për mbledhjen e konferencës së parë ndërqeveritare po mbahet peng nga një shtet i tretë, që ka inate me një shtet që është në pritje për t’u anëtarësuar, duke nënkuptuar këtu Maqedoninë e Veriut. Rama nënvizoi se detyra e Shqipërisë tanimë është që të presë me qetësi dhe të vijojë përpara me punët e mira.

“Presidentja e tha dhe më parë dhe e përsëriti që ka objektiv që para përfundimit të vitit të kryhet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare ku Shqipëria të fillojë formalisht negociatat për anëtarësim. Sa më takon mua, e kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, nuk vë bast më për asnjë datë, për asnjë afat dhe pres me qetësinë e plotë si në rastin kur ndodh dhe rastin kur nuk ndodh. Jemi përgatitur disa herë për dasmë dhe krushqit nuk janë paraqitur. Ne do bëjmë me vepra deklaratat e dashurisë, se kur ndodh dasma e kanë në dorë krushqit, është e qartë, ne kemi në dorë të bëjmë punën tonë dhe punën tonë e bëjmë jo sepse na imponon Brukseli, Parisi apo Evropa e Bashkuar, por sepse na imponon e ardhmja e fëmijëve tanë. Jemi me fat që gjendemi në qendër të Evropës. Është bekim për fëmijët tanë që rriten në mes të këtij kontinenti dhe një mur na ndan nga hapësira më e mirë që është BE. Ky është fati ynë, bekimi ynë dhe do të vijojmë të shfrytëzojmë dijen e BE, eksperiencën e saj, mbështetjen e BE, përmes procesit.

Më pas, hapen nuk hapen, mbyllen nuk mbyllen konferencat dhe kapitujt kjo është çështje e BE, më saktë s’është e komisionit, por e këshillit, më saktë s’është e këshillit, por një anëtari të BE, që gdhihet me inat me një tjetër dhe merr peng e një të tretë e kështu me radhë vazhdon kjo histori. Komisioni Evropian, mendojnë që Shqipëria e ka bërë detyrën e vet në raport me BE, në raport me vetveten dhe të ardhmen kemi shumë gjëra për të bërë e nuk duhet të humbasim durimin e shpresën, por duhet të vazhdojmë përpara”, tha Rama.