zoom

Aktualitet

Populizmi i Agron Shehajt, përgjegjësia e Doganës dhe zhurma për mbetjet

Ashtu si çdo verë, ku lajmet janë me pikatore, edhe përplasja e krahëve të mizave shkakton cunami. Më shumë se kushdo tjetër këtë mungesë ngjarjesh të rëndësishme dhe vrapin pas mizave e përdorin politikanët e rinj që vijnë nga një shkollë e vjetër. Kjo duket se ngjau me një dërgesë të dalë nga Porti i Durrësit që presupozohet (nuk ka asnjë provë për momentin) që ka ngarkesë toksike.

Agron Shehaj është një nga politikanët që kërkon të provojë veten dhe ka përdorur foltoren e Kuvendit për të shtuar edhe ai mendimet e tij mbi përplasjen e krahëve të mizës.

Ai ka ngritur edhe një akuzë të re për Qeverinë, sikur ka marrë nën kontroll koncesionin në Portin e Durrësit. Por, sipas të dhënave publike në QKB kalimi i pronësisë së koncesionit të terminalit të ngarkesave rifuxho në Portin e Durrësit ka ndodhur pasi ngarkesa e zhurmshme e kishte lënë Shqipërinë. Po ashtu nuk është ky subjekti fundor i cili trajton ngarkesën për eksport. Po ashtu, bazuar në faqen zyrtare të Qëndrës Ndërkombëtare për zgjidhjen e Mosmarreveshjeve të Investimeve (ICSID) rezulton se arbitrazhi midis palëve është mbyllur dhe palët jane tërhequr në fillim te muajit Gusht 2024. Dhe ky duhet të jetë edhe një lajm i mirë për taksapaguesit të cilët, me sa duket, nuk kanë për të paguar vlera të frikshme në arbitrazhin ndërkombëtar.

Ky është një informacion publik dhe një aspiranti për t’u rizgjedhur deputet në zgjedhjet e ardhshme nuk ka sesi t’i ketë shpëtuar. Në të vërtetë Agron Shehaj është futur tashmë në spiralen e populizmit dhe çdo gjë po e vendos në funksion të fushatës së tij zgjedhore të vitit të ardhshëm.

Gjithashtu, një biznesmen si Shehaj nuk ka sesi të mos e dijë që përgjegjësinë për përmbajtjen e kontenierëve e ka pronari i mallit dhe jo kompanitë e transportit apo ato që kanë kontenierët. Pronarët e mallit, certifikatat për përmbajtjen e kontenierëve i paraqesin te institucionet doganore të shteteve ku kalon ky mall, ndërkohë kompanitë që ofrojnë transportin nuk kanë asnjë përfshirje.

Mirëpo, përveç populizmit të politikanëve të rinj, por me mësime nga shkolla e vjetër, kemi edhe papërgjegjshmërinë e institucionit të Doganës – LEXO KETU. U bë gjithë kjo kohë dhe asnjë funksionar i këtij institucioni nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë se çfarë ka në këto kontenierë sipas dokumentacionit, cilat janë kompanitë apo personat që janë pronarët dhe kanë dijeni dhe përgjegjësi dhe si funksionon transportit ndërkombëtar i kontenierëve. Kjo mungesë serioziteti nga dogana ka krijuar aq shumë versione të ngjarjes sa tashmë asnjë nuk e di për çfarë flitet. Mjafton të dëgjosh Agron Shehajn. Kjo mund të jetë edhe e qëllimshme nga ana e Doganës ashtu siç është i qëllimshëm populizmi i politikanëve.

Qeveria gjithashtu nuk ka nga t’ia mbajë kur kjo cështje, si çdo gjë tjetër e rëndësishme, vjen si përkujdesje e institucioneve ndërkombëtare përpara faktit të fjetjes së institucioneve shqiptare.
Nuk mund të kalohet thjesht me përgjegjësinë tek aktorët ekonomik kur në fakt është Qeveria përgjegjëse për të ngritur praktikat më të mira dhe procedurat e nevojshme që këto mbjetje toksike të trajtohen ne mënyrën e duhur.
Fatmirësisht ky është një hetim ndërkombëtar dhe do ketë vemendjen e duhur që t’i shkohet deri në fund e jo si cështje të tjera që janë fshehur poshtë qilimit.

Që lexuesit të jenë më të qartë se çfarë ka ndodhur dhe për çfarë po tentohet të manipulohet po i ndajmë të dy çështjet më poshtë, duke i renditur faktet sa më thjeshtë.

  • Mbyllja e procesit të arbitrazhit ka ndodhur në Gusht të vitit 2024. Sipas QKB kompania EMS Shipping & Trading i ka shitur aksionet e veta te kompania Scapha dhe në datë 26 Gusht 2024 është bërë edhe publikimi i ortakëve. Blerësi ri, Scapha doo, është kompania mëmë e Luka dd ose ndryshe njohur me emrin tregtar Port of Split në Kroaci.
  • Procesimi i ngarkesës që krijoi gjithë rrëmujën e verës ka nisur me datë 1 korrik dhe me datë 14 korrik ka qenë në Trieste. Me datë 24 Gusht 2024 kjo dërgesë ka qenë në Singapor. Pra i gjithë kalimi i dërgesës ka ndodhur pa u kryer akoma kalimi i pronësisë së aksioneve nga EMS tek Port of Split.
  • Përsa i përket certifikimit të përmbajtjes së ngarkesës, sipas legjislacionit ndërkombëtar dhe atij shqiptar, përgjegjës është pronari i mallit dhe institucionet që bëjnë certifikimin zyrtar apo kontrollet e rastit kur kanë dyshime. Gjatë gjithë kësaj kohe janë lakuar vetëm emrat e kompanive që bëjnë transportin dhe më pak kompania pronare e mallit dhe autoritetet që kanë për detyrë ta certifikojnë mallin.
  • Deri më tani, për mallin e pretenduar si toksik nuk ka asnjë dokument apo një deklaratë zyrtare, por vetëm dyshime. Këto dyshime Dogana nuk i ka sqaruar asnjëherë, madje ka nxjerrë dy komunikime zyrtarë që ngatërrojnë mediat dhe publikun duke lënë hapësirë për dyshim se janë të qëllimshme për të fshehur përgjegjësinë.

Nga një dyshim për një ngarkesë toksike që ka lënë portin më të madh në Shqipëri është krijuar një situatë ku nga njëra anë ushqehen politikanë si biznesmeni Agron Shehaj dhe nga ana tjetër fshihen nga përgjegjësitë institucioneve si Dogana dhe Qeveria. Fatkeqësisht e gjithë kjo zhurmë toksike nuk ka prodhuar asgjë me vlerë përveç zhurmës toksike së atyre që nuk duan të mbajnë përgjegjësi dhe atyre që kanë aspirata për pak pushtet. /Zoom.al