Aplikacion
Kur bota është në prag të kaosit, logjika e lyp që publiku të jetë i vëmendshëm për atë që po ndodh. Por jemi në një kohë të çartur, ku lajmet që duhet të dimë mbyten nga lajmet që absolutisht nuk ka pse t’i dimë.
Lajmi 1: “X u dashurua me Y.” Ky zbulim tronditës tërheq sa hap e mbyll sytë 199 komente vetëm në facebook! Dhe çfarë komentesh? Zemrat pa fund, buqetat e luleve, urimet dhe këshillat për çiftin e ri përplasen me përgojime, thash e theme, sajesa, shpifje.
Krahas këtij lajmi të parë gjë det në një drotsre një raport për pensionet qesharake të 700 mijë pensionëve
Vëmendja është zero. Asnjë koment. Asnjë like. E kujt i duhet siguria financiare kur mund të lumturohet nga lumturia e tjetrit? Nuk është paraja që vë në lëvizje botën, por dashuria…e tjetrit.
Lajmi 3. “Zjarri djeg ullishten, i afrohet fshatit”.
Asnjë koment. Pse të shqetësohemi për zjarret që kërcënojnë shtëpitë dhe katanditë , kur në vend të kësaj mund të përqendrohemi te X-ja që i “vë zjarrin Instagramit” me fotot e saj? Foto që e ndezin seksionin e komenteve ( mbi 1000 komente) me shpejtësinë e flakes në një pyll të thatë në gushti që i është vënë syri për investime strategjike. Me ç’duket zjarri në ekran djeg më fort se zjarri te dera e shtëpisë.
Spektri i një konflikti global është më afër se kurrë, duke kërcënuar të na zhytë në kaosin e një tjetër lufte botërore. Dy shpirtra të guximshëm gjejnë forcën për të komentuar. Për të gjetur arsyet lipset një doktorature. Por kur dikush guxon të sfidojë formën sferike të planetit tonë, një ushtri komentuesish grumbullohet rreth kauzës. Toka e sheshtë? Toka e rrumbullakët? Qindra astronomë amatorë shqyejnë njëri tjetrin në seksionin e komenteve. Me sa duket, fundi i botës është po aq interesant sa të shikosh bojën të thahet dhe forma e tokës ka rëndësi shumë më të madhe sesa asgjësimi i mundshëm i species tonë.
Lajmi i radhes: “Te unaza e madhe ka 13 vjet që punohet me intensistet të lartë” ofron një panoramë të qartë dhe të plotë për sagën e pafund të këtij projekti në kryeqytet që po zgjat me shume se seriali 1000 vitrinat. Tre komente, me gjasë nga tre shpirtra që ende besojnë në përgjegjësinë qytetare dhe premtimet publike. Por lajmi që krye(ministri) inspekton kantierin? Bum! 400 komente. Menjëherë. “Bravo! Ju lumtë! Na kënaqët shpirtin! Kështu vazhdoni! Përpara!…”
***
Duket se, në këtë botë të re të diskursit digjital, zjarret, luftërat dhe kolapsi ekonomik janë lajme të vjetra, që i perkasin botës se djeshme. Bota e sotme është ndryshe:..historitë e dashurisë, selfiet në Instagram, teoritë e Tokës së sheshtë dhe politikanët që bëjnë sikur punojnë? Këto janë jo lajme, por super lajme që ja vlen t’i komentosh.
Ky është ushqimi që mban gjallë sot debatin publik. Kështu që herën tjetër kur të lexoni një titull për një katastrofë globale, mos u habisni nëse eklipsohet nga një inspektim i fundit i një ministreje ose një romancë e një të famshmi, ose të një anonimi. Në fund të fundit, fundi botës mund të presë. Si kanë ardhur punët kush ka nge të merret me realitetin kur mund të komentojë spektaklin?/ Zoom.al
Perëndimi ngre alarmin/ Rusia do të vendosë lëndë shpërthyese në avionët e pasagjerëve