zoom

Ide & Blog

Që të mos na vrasë nesër turizmi i tepërt dhe i paqëndrueshëm

Nga Irena Beqiraj 

Sezonaliteti i turizmit si dhe pagat rreth 2.5 herë më të larta se produktiviteti i shërbimeve që lidhen me turizmin reflektohet tek kostot e larta të fuqisë punëtore.

Po ashtu përdorimi sezonal nën kapacitet i infrastrukturës turistike “ul kthimin nga investimi” dhe rrit presionin tek çmimet në sezon, sidomos kur fasilitetet turistike janë të vogla, të fragmentizuara dhe nuk përfitojnë dot nga ekonomia e shkallës.

Një shenjë tjetër shqetësuese është se ndërsa në Shqipëri turizmi zgjerohet, në të njëjtën kohë sektori bujqësor i cili duhet të mbështeste këtë zgjerim duke njohur edhe ai rritje, po përjeton  pikiatën më të madhe të dekadave të fundit. Kjo tregon  se vendi e importon pjesën më të madhe të mallrave dhe produkteve thelbësore. Thënë këtë, zgjerimi i mëtejshëm i turizmit do të ushtrojë presion mbi ofertën, duke bërë qe ndikimet inflacioniste të turizmit të përkeqësohen më tej.

Ky presion inflacionist ul mirëqenien e popullatës edhe rrjedhimisht konsumin e saj. Ndërsa turizmi zgjerohej në vitin 2023, konsumi ishte  në nivelet më të ulëta qe pas pandemisë.

Ndërkohë rritja e varësisë ekonomike e vendit nga turizmi, përveçse inkurajon investime të cilat përdoren nën kapacitet, ajo dekurajon edhe një investim tjetër, atë në arsim. Në zonën e OECD-së, mesatarisht 45 për qind e njerëzve të moshës 25-34 vjeç kanë një diplomë kolegji. Në vendet e OECD-së ku sektori i turizmit zë një vend të rëndësishëm, përqindja është shumë më e ulët: 43 për qind për Spanjën, 34 për qind në Portugali, 27 për qind në Itali.

Një element tjetër shqetësues është fakti se një pjesë e madhe e turizmit po sillet rreth burimeve të kufizuara të pasurive të paluajtshme duke ushqyer kështu një shembull te përsosur të modelit ekonomik rentier.

Vetë Kryeministri thotë që “Familjet japin me qira apartamentet e tyre, me skemën e Airbnb për turistët që nuk shkojnë në hotele, sepse 10 milion turistë nuk përputhen me shtretërit që kemi në hoteleri, duke shtuar se ky fond i padeklaruar, i gjithë i paprekur shkon te familjet”.

Qëndrimet e turistëve në shtëpi Airbnb padyshim krijon të ardhura për disa familje por në të njëjtën kohë rrit kostot e jetesës për qytetarët, duke ndikuar në çmimet e pronave si dhe qiratë në vend. Por një efekt tjetër edhe më i padëshirueshëm ekonomik i përdorimit të gjerë të  Airbnb është se ky model rentier kontribuon pak ose aspak në krijimin e vendeve të punës në industrinë e mikpritjes.

Të gjitha këto fenomene kanë nevojë të adresohen, duke u mbështetur në matje e të dhëna.  Kryeministri mund të vazhdojë të kundërshtojë Ambasadorin Rus në Këshillin e Sigurisë edhe ministret e kabinetit të tij të besojnë që kjo zhvillon turizmin. Gjithologët e ekraneve mund të fajësojnë lakminë e operatorëve turistike për “shkatërrimin e mrekullisë turistike të krijuar nga atletet e bardha të kryeministrit”. Por vetëm “tapat” kanë fatin të pluskojnë në sipërfaqe. Nëse mendohet pak më thellë, realiteti tregon se turizmi ka nevojë urgjente për vendimmarrje publike dhe private të informuara, sepse dëmi që mund t’ju vijë qyteteve nga zhvillimi mbi kapacitetet e mundshme turistike do të kërkojë dekada të rikuperohet.

Brezat nuk na e kanë borxh mendjelehtësinë tonë!