zoom

Lajme

Gjermanëve s’u del e keqja me gjyqtarin anglez Taylor, e kryqëzojnë: Turp! Çfarë justifikimi ke…?

Të eliminohesh në atë formë, me një gol në minutën e 119, nuk është e lehtë për t’u “përtypur”, por Spanjë-Gjermani ishte një supersfidë që i kishte të gjitha.

Golat, raste për shënim, por kishte dhe shumë VAR, mbi të gjitha një rast i pastër për moviolë, ku Cucurella ndali me dorë në mënyrë flagrante një goditje të Musialas. Ky episod nuk u prit mirë nga protagonistë si Kimmich, Myller, tekniku Nagelsman dhe të tjerë, por vijon të bëjë zhurmë në të gjithë mediat Evropiane, mbi të gjitha në Gjermani.

Edhe pse para se topi të kapej me dorë, nëse VAR do ndërhynte, mund të akordohej një pozicion jashtë loje paraprak nga teknologjia me Inteligjencë Artificiale. Gjithsesi mungesa e një sqarimi teknik, duke u mjaftuar me faktin se dora ishte natyrale, shkaktoi konfuzion e pakënaqësi.

“Çfarë justifikimi ke?”, është pyetja që e përditshmja gjermane “Bild” i shtron arbitrit Anthony Taylor, shoqëruar edhe me imazhe, ku shihet qartë prekja e topit me dorë nga mbrojtësi spanjoll.

Ajo që rëndon edhe më shumë është fakti, që Taylor as që e mori mundimin të shihte në VAR një episod kaq të pastër. Situata është ndryshe në mediat spanjolle, të cilat kërkuan një karton të kuq për Toni Kroos.

Anthony Taylor ka qenë në qendër edhe të mediave italiane, pasi arbitri anglez është një personazh shumë i njohur edhe për ta, ku i mohoi një penallti të pastër Romës në finalen e Europa League kundër Valencias. Jose Mourinho nuk përdoroi lojëra fjalësh në atë kohë, por e quajti: “Një turp”. /ZOOM.AL/