zoom

Aktualitet

Kush është oligarku që qeveria i fal taksat dhe i legalizon katet pa leje të kullës 45 kate?

“Një oligarku i falen taksat dhe i legalizohen katet pa leje në kullën 45 kate në qendër të Tiranë”

Në këtë mënyrë Gazmend Bardhi ka denoncuar sërish hapur standardet e dyfishta që përdor qeveria për ndërtimet pa leje. Në diskutimet për ndryshimet në ligjet për Planifikimi ne Territorit, kryetari i grupit parlamentar të PD, tha se qytetarët që rregullojnë qoftë edhe një çati pa leje futen në burg, ndërsa disa ndërtuesve apo oligarkëve, që ndërtojnë kate pa leje në kullat në qendër të Tiranës, jo vetëm u legalizohet paligjshmëria, por u fallen edhe taksat.
Gazi iu referua në mënyrë të veçantë një kulle në afërsi të Kryeministrisë. Por cili është oligarku që e ka ndërtuar atë?
Ai nuk përmendi emra, por referuar deklaratave të tij, kuptohet se bëhet fjalë për një biznesmen të afërt me kryeministrin, të cilin Bardhi e ka denoncuar edhe më parë për legalizimin e 5 kateve pa leje, me një procedurë ekstraligjore.

DENONCIMI I PLOTË I KRYETARIT TË GRUPIT TË PD:

Qytetarët do të duhet të dinë, edhe përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse që ngarkohen me zbatimin e ligjit për planifikimin e territorit, kanë dy standarde. Njëri standard është për kategorinë e qytetarëve të dorës së dytë, pra ata që rregullojnë çatinë, ku secili inspektorat, përfshirë edhe agjencitë në vartësi të qeverisë, paraqiten te dera sapo vjen punëtori, nëse s’janë pajisur me leje.

Ndërkohë që për ato kulla edhe investime në qendër të Tiranës, ku secili prej këtyre oligarkëve që është pajisur njëherë me leje, ka të drejtët dhe gëzon të drejtën për të shtuar 4, 5, 6 apo 7 kate, jo thjesht nuk zbatohet ligji, por në shkelje të flagrante të çdo përgjegjësie të këtyre institucioneve, në shkelje flagrante të kritereve, me firmë të Edi Ramës jepet leje zhvillimi mbi kate përtej asaj që lejon ligji dhe madje ka edhe një proces të posaçëm të legalizimit të këtyre ndërtimeve të paligjshme, duke i trajtuar edhe njëherë me favore, secilin prej tyre, nuk shkojnë në burg siç shkojnë qytetarët e zakonshëm, por pajisen me dokumente për të legalizuar paligjshmërinë dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.

Dhe në fakt ne prisnim që ju të kishit propozuar një projektligj se si ndëshkohen ndërtuesit e paligjshëm të kullave në Tiranë, pra nga 40 kate e çojnë në 45 dhe ju bëni sikur nuk e shihni edhe pse e keni te dritarja e zyrës. Një tjetër, në qendër të Tiranës, edhe pse kaloni përditë aty, nga 25 kate i fut 7 kate shtesë dhe ju prapë ulni kokën dhe mbyllni sytë kur kaloni…

Kështu të dashur kolegë, do të ishte edhe në nderin tuaj që të mos e votoni këtë projektligj, sa kohë ky projektligj është hedhur në kosh sa herë i është dashur një oligarku apo një ndërtuesi të një kulle në qendër të Tiranës.

Madje, madje, po e them edhe këtë: jo thjesht u legalizohen me një procedurë ekstraligjore katet shtesë, por ndryshe nga secili prej nesh që do të duhet të paguajë taksat kur ndërton qoftë edhe një dhomë 20 m2, këtyre, pasi u legalizohen, pasi i përjashtojnë nga përgjegjësia penale, pasi i lejojnë të ndërtojnë për qëllime fitimi, u falin edhe të gjitha taksat dhe tatimet që shoqërojnë procedurën e marrjes së lejes apo taksës së ndikimit në infrastrukturë. Zoom.al