Aplikacion
Teksa Gjykata e Tiranës la dje në fuqi masat e sigurisë ndaj mjekëve, infermierëve dhe farmacistëve të përfshirë te skandali i Onkologjikut, Prokuroria dhe togat e zeza do të vlerësojnë nëse do të duhet një masë më e ashpër për Edmond Gashin.
Ky i fundit, një nga mjekët e pezulluar pas skandalit dhe me masë “arrest shtëpie” aktualisht, që në dosjen e Prokurorisë së Tiranës konsiderohet si më protagonisti i skemës skandaloze të përfitimit, në kurriz të pacientëve me kancer, dje bëri një shfaqje aspak të zakontë në gjykatë.
Pasi masa e sigurisë ndaj tij dhe 7 të tjerëve u la në fuqi, mjeku Edmond Gashi u pa duke u larguar me vrap nga Gjykata e Tiranës, i pashoqëruar nga policia, ndonëse ishte në ‘arrest shtëpie’. Sipas Gjykatës, procedura u shkel dy herë, në ardhje dhe largim të Gashit, duke e denoncuar publikisht gafën e bluve.
Deri më tani nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës nuk ka një veprim konkret, ndërsa policia në këtë rast procedon masën në fjalë. E njëjta masë u la në fuqi edhe për personat e tjerë të përfshirë në këtë skandal, pjesa më e madhe detyrim paraqitjeje, pasi ata akuzohen se i detyronin pacientët e sëmurë me kancer që të kuroheshin në spitalet private, apo të blinin barnat e kimios në farmaci.
Skandali te Onkologjiku ka krijuar indinjatë të madhe qytetare dhe jo vetëm pasi edhe politika po “zien” nga debatet, ku opozita kërkon thellimin e hetimeve dhe dorëheqje të ministrave socialistë dhe zyrtarëve të lartë të linjës. /ZOOM.AL/