zoom

Bota

Sondazhet tregojnë garë të ngushtë presidenciale në SHBA, Trump kërkon ndihmën e republikanëve

Ish-presidentit Donald Trump iu ofrua një mirëpritje entuziaste të enjten, kur u rikthye në Uashington, ndërsa gëzoi mbështetje nga ligjvënës republikanë, pas shpalljes fajtor në gjyqin kundër tij në Nju Jork.

Trump, që sipas anketimeve është në garë të ngushtë me pasardhësin e tij Joe Biden për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, falenderoi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve në një klub privat pranë Kapitolit, të cilët i kënguan “Gëzuar Ditëlindjen”, pasi të premten ai do të mbushë 78 vjeç.

Ky ishte takimi i parë i zotit Trump me ligjvënësit në Kapitol, që kur la Shtëpinë e Bardhë në 2021 dhe hera e parë që qëndroi në Uashington që kur u shpall fajtor muajin e kaluar për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit.

Gjatë vizitës në Kapitol, në takime të ndara që pati me republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, zoti Trump u duk se tentoi të zbuste ndasitë përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, ku partia e tij mund të marrë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe të të dyja dhomave të Kongresit. /VOA/