zoom

Kosova

Përgjimet/ Ish-nënkryetari i Listës Serbe zbulon: Ka ende biseda të tjera mes Kusarit e Radoiçiçit!

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Slavko Simiç, ka thënë se ka edhe biseda të tjera mes shefes se grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari dhe Milan Radoiçiç, i cili është shpallur në kërkim për sulmin në Banjskë.

“Siç edhe kam deklaruar, ka edhe shume biseda të tjera që kanë ndodhur”, ka thënë Simiç për RTVD. Ndërkaq, ish-hetuesi policor Murat Mehmeti, deklaroi se të gjitha takimet të politikanëve të kosovarë, por edhe të personave të tjerë, janë të incizuara nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë.

“Jo pse Radoiçiçi nuk është pjesë e strukturës shtetërore. Radoiçiçi formalisht e ka marrë përsipër sulmin e fundit terrorist, por prapa Radoiçiçit është inteligjenca ushtarake”, tha Mehmeti në Rubikin.

Lidhur me përgjimet, kryeministri Kurti të martën para gazetarëve tha se “ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiç këtë muaj i bënë 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe trysnia do të duhej të ishte që të ketë aktakuzë ndaj tij”.

Ai u pyet nëse do të merren masa ndaj Kusari-Lilës. “Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di si është marr e ku është marr, si u pre e nga kush u organizua. Por edhe një herë unë jam kryetar i VV-së dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare e VV-së. Edhe po të ishte anëtare e VV-së për këso gjerash ka komisione, nuk e ka VV-ja kryetarin diktator që merr vendime siç do të kishte dëshiruar ndokush”, u shpreh Kurti, sipas mediave kosovare.

Lidhur me përfshirjen e Kusarit në përgjimet, ka pasur reagime të ashpra edhe nga partitë opozitare. /ZOOM.AL/