Aplikacion
Dorëhiqet kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Ceno Klosi, aq shumë i përfolur muajt e fundit, si njeriu i afërt i zv/kryeministres Belinda Balluku.
Mësohet se dorëheqja është dorëzuar gjatë paradites së sotme. “Vizion Plus” raportoi se Klosi pritet të marrë një detyrë si zv/ministër gjatë ditëve në vijim, pas largimit të dy ish-zv/ministrave ditë më parë nga Rama.
Muajt e fundit lufta brenda mazhorancës në dy klanet e saj Veliaj-Balluku për të qenë pasardhës të Ramës dhe marrë drejtimin e PS pas largimit nga pushteti, është bërë e ashpër, aq sa ka përfunduar në dyert e SPAK-ut, ku denoncojnë njëri-tjetrin për koncesione dhe tenderime.
Ndaj Klosit ka pasur një hetim nga SPAK, pas dy denoncimeve të PD-së. “Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria për kallëzimin e parë.
Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 6 muaj para kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi. “Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi”, njoftohet për çështjen e dytë. SPAK ka vendosur bashkimi e dy procedimeve në një të vetëm. /ZOOM.AL/
Një mburojë e lartë raketore izraelite po “shkon” drejt Evropës, ku kërcënimi rus rritet