zoom

Aktualitet

Ceno Klosi i shkon pas Evis Berberit në burg? Denoncimi i fortë: Mbulonin shpatullat e Ballukut!

Pas arrestimit të drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, radhën e ka kreu i Tatimeve, Ceno Klosi.

Paralajmërimin e dha nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi gjatë një takimi me demokratët në Dibër.

Rruga e Arbrit, tha Bardhi para mbështetësve, është provë e korrupsionit të qeverisë Rama dhe për këtë
arsye, shtoi ai, u prangos Evis Berberi.

Por Berberin, sipas Bardhit, do ta ndjekë pas në burg, Ceno Klosi, të cilin e akuzon si një bashkëpunëtorët më të ngushtë të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Një tjetër leksion që kemi marrë nga Dibra dhe u përpoqëm që ta bëjmë realitet, ishte nevoja për bashkim. Sa herë që keni qenë të bashkuar, e keni mundur PS. Lajmi i mirë për demokratët e Dibrës dhe të gjithë demokratëve në mbarë Shqipërinë, është që pas 2 vitesh, PD është më e bashkuar dhe më e fortë, gati për t’u përballur me betejën për zgjedhjen e 2025-ës. Nëse do të shihni qeverisjen e Ramës, shikoni Rrugën e Arbrit. Rruga është gjysmë e shkatërruar, dhe e painuguruar. Paratë shkojnë te xhepat e ministrave dhe drejtorëve, që më pas me paratë e korrupsionit, vinë dhe blejnë qytetarët. Shembullin e keni në 14 maj. Kush ishin dy njerëzit që mbulonin shpatullat e Belinda Ballukut? Evis Berberi, që nuk ka lënë derë pa blerë vota dhe Ceno Klosi, i pari i Tatimeve, që do të ketë fatin e atij të parit. E ka vendin në burg. Ky është modeli që ka ngjallur Edi Rama. Skemën e ndihmës ekonomike në disa raste mund ta përdorë dhe për blerje votash, por varfëria është shtuar”, tha Bardhi.

Pak ditë më parë, SPAK njoftoi se po e heton Ceno Klosin për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Këto janë akuza të bëra nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike në dy kallëzime të dorëzuara në SPAK.