zoom

Aktualitet

Përgjimet e dosjes/ Pse Ilir Paja s’mori përsipër vrasjen e Bamit. Kush janë “Daja” dhe “Kapelja”

Zbardhen të tjera detaje lidhur me planet që janë bërë nga 7 grupet kriminale me aleanca fluide dhe interes bizneset ilegale të narkotrafikut apo larjes së hesapeve, për të goditur kundërshtarët apo ato që i konsiderojnë armiq.

Në dosjen hetimore thuhet se referuar verifikimeve të kryera në sistemin TIMS, konkretisht në rubrikën hyrje-dalje rezulton se shtetasi Ervin Kodra i dtl. 01.04.1985 ka udhëtuar me të njëjtin automjet me targa AA912RB me shtetasin Durim Bami i dtl. 29.10.1979 me datë 22.07.2018 duke kaluar në P.K.K. Hani Hotit në dalje.

Referuar verifikimeve të kryera në sistemin TIMS, konkretisht në rubrikën hyrje-dalje rezulton se shtetasi Gentjan Koçi i dtl. 25.08.1993 ka udhëtuar me të njëjtin automjet me targa AB250AV me shtetasin Durim Bami i dtl. 29.10.1979 duke kaluar në P.K.K Morinë më datë 16.11.2022 në dalje dhe më datë 17.11.2022 duke kaluar në P.K.K. Morinë në hyrje.

Më datë 06.03.2020, shtetasi Emiljano Shullazi komunikon me shtetasin Marklen Haka dhe dyshohet se diskutojnë në lidhje me vrasjen e shtetasit Durim Bami, ndër të tjera Emiljano Shullazi i shkruan, “…ca duket do e kapin ato cunat atë qelbësirën? He pra thuaj shpejt. Lir Pajës (Ilir Paja) i tham ne për Durin (Durim Bami) atëherë që folëm bashkë por ai ska takat e ka mendjen ke malli”.

Më datë 24.03.2020 Emiljano Shullazi komunikon përsëri me Marklen Hakën dhe dyshohet se diskutojnë në lidhje me lokalizimin e shtetasit Durim Bami: “…po ca nuk del fare në lagje ai plehra. Me ca makine del kuvra, po Valteri ca thot?”, thuhet ndër të tjera në dosje.

Ndërkohë që një tjetër detaj është komunikimi mes Arben Ndokës dhe Arian Tukut, ndërsa në skenë del një person me pseudonimin “Daja”.

Më datë 06.04.2020, shtetasi Arben Ndoka komunikon me shtetasin Arian Tuku ku dyshohet që komunikojnë në lidhje me organizimin e vrasjes së shtetasit Durim Bami, duke përdorur metodën me ndërrim me një person tjetër të cilit i drejtohen me emrin “Daja”.

Arian Tuku i shkruan:  …jam duke u mundu me bo një far dallavereje me stil me dajën me i dhanë “qenin” dhe me thirr Durin ai. Por jam duke ja xhiru avash avash, me ba ndrrim. Se daja ka nejt 2-3 herë me Durin dhe i ka bo ndere, daja Durit. Arbeni i shkruan, …cfarë thot daja, Bardhi? Arjani i shkruan që, …I kanë pas lek borxh Durit disa shkodranë në Itali dhe daja i ka marrë në telefon dhe ato ja kanë dhanë lekt Durit. Tani kam vazhdu si me stil me i thanë, një fjalë sot një fjalë mbas 3 ditsh. Apo don me i dhanë edhe Bardhokun paketë, të dy.

Më datë 07.04.2020, shtetasi Arben Ndoka komunikon me përdoruesin e paidentifikuar dhe diskutojnë për shtetasin Durim Bami, të cilin e dyshojnë si të përfshirë tek vrasja e shtetasit Aleksandër Ndoka. Përdoruesi i paidentifikuar shkruan:

…e di që ka thënë se ju bëj be, kur kto të dy dun me ba be, kush karin na e bëri, kush është ai që vazhdon me na ngatërru dita ditës. Nëse ai se ka bërë, as Duri jo. Pse na kanë cu me u përplas me to, kush na coj dhe pse e ka bere, pidh nane që i jep dum ska. Arbeni Ndoka shprehet. …Kto jan dora o vlla gjith ca thu ti. Kshu ja kan ba dhe Milit kto. i kan then bejm be anej knej, E kur mori Strafugen (Enver Stafuka) peng, nxorri cdo gjë Mili. Duhet me ju turrë, ma e kput. Them që e kena një person me ma dhen info për të e ta vizitojmë.

Arben Ndoka në vazhdimësi i tregon që ka dijeni për vendndodhjen e Durim Bamit dhe se e ka bërë një plan por do t’ja tregojë sapo të takohen. Referuar dosjes hetimore, më datë 19.05.2020, shtetasi Arben Ndoka komunikon me shtetasin Blerim Abazi dhe ky i fundit i jep informacion për lokalizimin e Durim Bami dhe lidhjet e tij duke i shkruar:

“…Sot kam qit nipin me pa se ku rrin, ose tek Elda ose te Kastrati janë pikat kyqe. Aty ndihet i sigurt. Neve na duhet një aty afër shtëpisë së tij….Bedriu i vogel i qet në prit por lek. Por nuk e di ke mi fut. Po ta shofim a del, mos të rrim kot. Po pra, se ai rrin shumë mbyll. Kshu më pëlqen mos i zëm të dy në një makin. Aty i djegim ne, kemi kohë sa duash, na shef zoti”.

Në vijim të komunikimeve që përmban dosja hetimore e SPAK, më datë 20.05.2020, shtetasi Arben Ndoka komunikon me shtetasin Blerim Abazi dhe ky i fundit i jep informacion për lokalizimin e Durim Bami, gjithashtu i tregon vende ku mund të realizohet pritë dhe vendin ku mund të fshehin automjetin që do të përdoret me qëllim realizimin e vrasjes. Sa më sipër i shkruan:

“…Ne Urë të Gjoles kemi një shtëpi për me e ruajt përballë Eldës kur vjen 3 minuta larg, është në anësore. Po aty me vepru shpejt. Makinë kur të don me armë, te garazhi im. Po krym pun me atë gru qim Durim Bamin, ë tjerët vdesin vetë. Na thuj kur ke kohë, të vijm ne 4 vëllezërit aty, pim dicka. Po nga kodra sipër e kap thu në oborr me snaiper. Kemi edhe një rrugë të mirë që të nxjerr te Ura e Gjoles në Thumanë”.

“Më datë 21.05.2020, shtetasi Arben Ndoka komunikon me shtetasin Arian Tuku i cili i ankohet për shtetasin Samuel Ndoka (nipi i Arben Ndokës) sepse po flet shumë dhe ju ka treguar personave të ndryshëm që është duke marrë informacion nga shtetasi Emiljano Shullazi në lidhje me lokalizimin e shtetasit Durim Bami. Arian Tuku shkruan: … nipi, palla si mban gja goja i ka thënë “kapeles””.

Sipas dosjes hetimore, Elvis Ndreca, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka pasur rolin e vëzhguesit, lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e shtetasit Durim Bami. Referuar dosjes, shtetasi Gjin Ndoj, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka pasur rolin e lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e shtetasve Durim dhe Valter Bami.

Në dosje evidentohet se shtetasi Marklen Haka ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve për lokalizimin e shtetasit Durim Bami me qëllim vrasjen e tij. Këta informacione Markleni i ndante me shtetasin Emiljano Shullazi. Nga hetimet e deritanishme lidhur me këtë episod, rezulton se:

Më datë 07.01.2020 Emiljano Shullazi komunikon me shtetasin Marklen Haka dhe nga tërësia e bisedës dyshohet që Markleni e informon në lidhje me lëvizjet e një personi (i dyshuar Durim Bami) me makinë të blinduar ose Range Rover. Më datë 10.01.2020, shtetasi Emiljano Shullazi komunikon me shtetasin Marklen Haka dhe nga tërësia e bisedës dyshohet që komunikojnë në lidhje me shtetasin Valter Bami i cili ka lëvizur me makinë tip Range Rover.

Më datë 18.01.2020 Emiljano Shullazi komunikon me shtetasin Marklen Haka të cilit ndër të jep porosi që mos t’ju ketë besë shtetasve Durim dhe Valter Bami duke ju shprehur …Vallahi zdi Marglen, e ca sbëjnë, po besë mos ki. Ulu pi kafe po shpinën mos jau kthe. Në vazhdimësi dyshohet që shtetasi Marklen Haka i jep informacion në lidhje me automjetet dhe lëvizjet që kryen Durim Bami pasi përmendin automjetin e blinduar. /ZOOM.AL/