Aplikacion
Kreu i akuzës tha se janë dërguar në gjykatë 9652 çështje, me akuzë ndaj 11401 të pandehurve. Sa i përket Hartës së re Gjyqësore, Çela tha se Prokuroria e Përgjithshme mori të gjitha masat e nevojshme administrative dhe u arrit që zbatimi i saj të kryhej me sukses.
“Gjatë kësaj faze është u koordinua dhe bashkëpunua me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Çështja kryesore që mbetet të zgjidhet në kuadër të hartës së re gjyqësore lidhet me infrastrukturën. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara”, tha Prokurori i Përgjithshëm ndër të tjera.
RAPORTI PËRMBLEDHËS:
I RAPORTIT VJETOR TË PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM, “MBI GJENDJEN E KRIMINALITETIT PËR VITIN 2023”
Përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38 % të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar). Megjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian.
I. TREGUESIT KRYESORË SIPAS FAZAVE TË PROCEDIMIT PENAL
1. Treguesit e hetimeve paraprake, pesha dhe tendencat e tyre
Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022 . Janë mbartur 21011 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale.
Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me 35,12 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % ,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi.
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 920. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.
Ndër grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022; sërish me një tendencë ulje të ndjeshme si në vitin e kaluar; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 6,2%, me një ulje prej 4.68 % në krahasim me vitin 2022.
Tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës”, 12,86 %; veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë, 9,20 %; veprat penale në fushën kibernetike, 22,35 %; veprat penale të trafiqeve të paligjshme”, 47,59 %; veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”, 13,81 %.
II.EFIÇENCA NË PËRFUNDIMIN E NDJEKJES PENALE DHE E KËRKESAVE NË GJYKATË
1. Efiçenca në hetimet hetimet paraprake dhe ndjekjen penale
Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje që përbën ulje prej 9,41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar.
Janë paraqitur në gjykatë 12259 kërkesa lidhur me masat e sigurimit personal. Lidhur me të dhënat për caktimin e masave të sigurimit shtrënguese për vitin 2023, për 55,31 % të të pandehurve të regjistruar ( 32,03 % të personave në hetim) është kërkuar caktimi i një mase sigurimi shtrënguese. Ndërkohë, rezulton se 59,32 % e kërkesave, lidhet me caktimin e një mase sigurimi me arrest, masa këto të kërkuara për 32,81 % të të pandehurve regjistruar ( 19 % të personave në hetim). Në raport me vitin 2002, në tërësi vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit.
Janë dërguar në gjykatë 9652 çështje me akuzë ndaj 11401 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2022 rezulton një ulje prej 12,13 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 11,87 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61,54 % me 38,46 %.
Në gjykatë janë dërguar 136 kërkesa për miratim të urdhrit penal në lidhje me 139 të pandehur ose krahasuar me vitin 2022 me ulje 46,46 % e numrit të kërkesave dhe ulje 47,55 % e numrit të të pandehurve, ndërsa nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit të urdhrit penal dhe kthimi i akteve në 5 raste ndaj 8 rasteve në vitin 2022 dhe refuzimi i urdhrit penal dhe pushimi i çështjes në 3 raste, ndaj 1 rasti në vitin 2022.
Në gjykatë gjithashtu janë dërguar 143 kërkesa për miratim të marrëveshjes së fajësisë në lidhje me 148 të pandehur ose krahasuar me vitin 2022 me ulje 46,04 % të numrit të kërkesave për miratim marrëveshje dhe ulje 44,78 % të numrit të të pandehurve, ndërkohë nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit të marrëveshjes dhe kthimi i akteve në 5 raste, tregues në ulje krahasuar me 12 raste në vitin 2022, dhe refuzimi i miratimit të marrëveshjes dhe pushimi i çështjes në asnjë rast ndaj 5 rasteve në vitin 2022.
Ndërkohë, është kërkuar gjykimi i drejtëpërdrejtë për 283 çështje me 286 të pandehur, që krahasuar me vitin 2022, përbëjnë rritje prej 15,51 % të numrit të çështjeve dhe 15,79 % të numrit të të pandehurve për të cilët është kërkuar ky lloj gjykimi
Gjatë vitit 2023, u dërguan në gjykatë për pushim 4912 çështje ose me ulje 9,71 % krahasuar me vitin 2022. Nga të dhënat rezulton se për 133 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me ulje 5 % krahasuar me vitin 2022, ndërsa në 3 çështje është vendosur kthimi i akteve dhe formulimi i akuzës, shifër në ulje krahasuar me 6 çështje për të cilat janë kthyer aktet për formulim akuze në vitin 2022.
2. Efiçenca në kërkesat për gjykim dhe përfaqësimin e çështjes/akuzës në gjykatë
Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2,67 %.
Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 urdhrat për ekzekutim e vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë (në vijim: vendime) të dënimeve kryesore me burgim, gjobë dhe dënime plotësuese, zënë 35,40 % të totalit të urdhrave për ekzekutim të lëshuara nga prokurori, ndërsa urdhrat për ekzekutim të dënimeve alternative zënë 64,60 % të totalit të urdhrave për ekzekutim të lëshuara nga prokurori. Gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 4627 vendime, ndërsa kanë mbetur pa u ekzekutuar 2093 vendime.
3. Efektiviteti i ndjekjes penale për disa grupvepra penale me tendencë në rritje ose në ulje sipas shtrirjes gjeografike, në vitin 2022
i) Prokurorët në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, kanë vijuar rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 514 procedimeve penale ku janë arrestuar në flagrancë apo ndaluar 474 persona të dyshuar për krime kundër rendit dhe sigurisë publike, kundër jetës dhe kundër autoritetit të shtetit, dhe për vepra penale kundër lirisë së personit, korrupsion, shpërdorim detyre, në fushën e narkotikëve, pastrimi produkteve të veprimtarisë kriminale, trafiqe të paligjshme e vepra të tjera të rënda, duke parandaluar kështu pasoja të mëtejshme për shtetin dhe shtetasit.
ii) Në shifra të përgjithshme, gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 456 autorizime dhe urdhra të prokurorit. Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.
iii) Për veprat penale të korrupsionit në kompetencë lëndore të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, janë regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur dhe 140 procedime me 151 të pandehur janë dërguar për gjykim. Prokurorët kanë rritur rolin aktiv për veprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën duke filluar kryesisht 18 procedime penale, ndaj 16 të filluara në vitin 2022 dhe në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në 31 procedime penale. Ky proces i ka shërbyer si parandalimit dhe/ose ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes/finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 7 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
Hetimet proaktive kanë bërë të mundur që të sigurohen të dhëna jo vetëm për veprën penale për të cilën është regjistruar procedimi, por edhe për zbulimin në 6 (gjashtë) raste të kryerjes së veprës penale të korrupsionit dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje, të parashikuara nga nenet 319, 319/c, 319/ç, dhe 328 të Kodit Penal në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, që ka mundësuar kryerjen e hetimeve të mëtejshme nga ajo prokurori.
Nga 44 referime/procedime penale të transferuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme, janë regjistruar 32 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën.
iv) Sa i përket veprave penale në fushën e prodhimit, shitjes dhe kultivimit të narkotikëve, rezulton se pesha specifike që ky grup veprash penale zë për vitin 2023 përkundrejt numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi, është 7,28 %, ndërsa për vitin 2022 ka qenë 6 %.
Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 ka një rritje prej 13,81 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë grup veprash penale në krahasim me vitin 2022. Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për veprat penale të prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve është në prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë: Tiranë regjistruar 27 % të numrit total të procedimeve të regjistruara, Lezhë regjistuar 15 % e numrit total të procedimeve të regjistruara për këto vepra në shkallë vendi, Shkodër 14 %, Fier 10 %, e procedimeve të regjistruara etj, ndërsa vërehet se numri më i vogël i procedimeve penale të regjistruara për këtë grupvepër është në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë: Sarandë, Gjirokastër, ku janë regjistruar 2 % e numrit të procedimeve penale në shkallë vendi për këtë grupvepër. Për këtë grup veprash, 77,59 % e kërkesave të prokurorit për masa sigurimi lidhen me caktimin e masave të sigurimit me arrest dhe nga gjykata në 70,37 % të kërkesave është vendosur masë sigurimi me arrest.
v) Referuar të dhënave statistikore, për veprën penale “Dhuna në familje” neni 130/a i Kodit Penal, për vitin 2023 janë regjistruar 1396 procedime penale, me 1078 të pandehur ose me ulje 3,92 % të procedimeve dhe ulje 11,35 % të pandehurve të regjistruar krahasuar me vitin 2022. Janë dërguar për gjykim 996 procedime me 1048 të pandehur.
Efektiviteti i ndjekjes penale është i lartë në kryerjen e hetimeve dhe ndjekjen për veprën penale të dhunës në familje në vitin 2023, ku evidentohet se çështjet e dërguara në gjyq janë në përqindje shumë më të lartë se ato të pushuara, përkatësisht 71,35 % dërguar gjyqit dhe 21,35 % të pushuara.
Lidhur me ashpërsimin e politikës penale për veprën penale “Dhuna në familje” sipas nenit 130/a i Kodit Penal, të dhënat statistikore evidentojnë se kërkesat e prokurorit lidhur me masat e sigurimit për persona që kanë kryer këtë vepër janë të ashpra, ku 89,04 % janë kërkesa për masa sigurimi me arrest me rritje në krahasim me vitin 2022 ku kërkesat për arrest ishin më masën 86,13 %. Kërkesat për caktimin e dënimit, për të pandehurit e akuzuar për këtë vepër penale rezultojnë se 61,82 % e kërkesave janë për caktimin e dënimit me burg dhe 38,18 % e kërkesave janë për caktimin e alternativave të dënimit me burg, shifra përafërsisht të njëjta me vitin 2022.
vi) Në seancën plenare të FATF, zhvilluar në datë 27 tetor 2023 në Paris, është vendosur dalja e Shqipërisë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar, e njohur si “lista gri”. Ky rezultat ka ardhur ndër të tjera nëpërmjet reformave dhe politikave të zbatuara në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe veçanërisht si rezultat i gadishmërisë për bashkëpunim, transparencës së treguar dhe rezultateve tepër pozitive të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në hetimin e pastrimit të parave. Për këtë Shqipëria nuk do t’i nënshtrohet më monitorimit të shtuar të FATF.
Rezultati i këtyre masave është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të parave të parashikuara nga nenet 287 e 287/b të Kodit Penal. Të dhënat statistikore të vitit 2023 tregojnë se për veprat penale të parashikuara nga nenet 287 dhe 287/b të Kodit Penal, janë regjistruar 158 procedime penale të reja dhe 15 të pandehur, ndërkohë 14 procedime me 27 të pandehur u dërguan për gjykim dhe 22 të pandehur rezultojnë të dënuar. Në këtë periudhë vetëm për veprën penale të pastrimit të parave sipas nenit 287 të Kodit Penal janë regjistruar 156 procedime të reja me 11 të pandehur, dhe 11 procedime me 16 të pandehur janë dërguar për gjykim.
vii) Sa i përket hetimeve financiare dhe pasurore për sekuestrimin/konfiskimin e pasurisë, në vitin 2023, kuadrin e hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” sipas nenit 287 të K.Penal dhe për vepra të tjera penale të lidhura me to, në zbatim te nenit 36 të Kodit Penal dhe neneve 274 dhe/ose 210, 190 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, mbi kërkesat e prokurorëve gjykatat kanë vendosur: -konfiskime pasurie/aseteve kriminale në kuadrin e 6 çështjeve, numër i njëjtë me vitin 2022 , dhe -sekuestrime pasurie/aseteve kriminale në kuadrin e 24 çështjeve, nga 18 për vitin 2022.
Në zbatim të nenit 3/1 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, në kuadrin e procedimeve/hetimeve pasurore, mbi kërkesat e prokurorëve gjykatat kanë vendosur: -8 konfiskime pasurie/asete kriminale dhe -10 sekuestrime pasurie/asete kriminale nga 7 në vitin 2022.
III. Bashkëpunimi ndërkombëtar
Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar ndërveprimin për rritjen e efiçencës në bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore të huaja në fushën penale. Gjatë vitit 2023, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme kanë forcuar më tej intensitetin në fushën e marrëdhënieve juridiksionale. Janë trajtuar 171 praktika ekstradimi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 45 dhe 99 praktika ekstradimi nga Shqipëria për jashtë, ndër të cilat janë përfunduar 48.
Eficiencë e lartë është treguar në ekzekutimin e letërporosive ku në 431 letërporosi nga jashtë drejt Shqipërisë, janë përfunduar 229, ndërkohë që në 491 letërporosi nga Shqipëria drejt vendeve te tjera, janë përfunduar 152. Janë trajtuar 280 urdhër arreste ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e huaja për shtetasit shqiptarë të cilët nuk mund të ekstradohen për shkak të shtetësisë shqiptare, nga të cilat 125 të përfunduara etj. Impakt në volumin e punës kanë pasur edhe marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara. Marrëveshja ndërmjet Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë si shtesë e Konventës Europiane “Për Ekstradimin” e vitit 1957 e cila me hyrjen në fuqi në mars të vitit 2022 u zbatua menjëherë duke filluar procedurat e ekstradimit të shtetasve shqiptarë drejt Spanjës. Në tërësi për vitin 2023 rezultojnë 9 praktika ekstradimi drejt Spanjës, nga të cilat 8 janë përfunduar. Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut “Për transferimin e personave të dënuar” e ratifikuar me ligjin nr. 125 datë 16.12.2021, hyri në fuqi në datë 05.05.2022. Gjatë vitit 2023 janë paraqitur 38 kërkesa për transferimin e të dënuarve nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri. Prokuroria e Përgjithshme së bashku me Ministrinë e Drejtësisë po bashkëpunojnë ngushtë edhe me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë për shmangien e vështirësive që hasen lidhur me këto praktika dhe realizimin me sukses të transferimeve.
Prokurori i Përgjithshëm në cilësinë e përfaqësuesit të autoritetit kompetent ka vijuar zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Eurojust, nëpërmjet veprimtarisë të Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë në Eurojust, prania e të cilës ka vijuar konsolidimin e përvojës dhe kapaciteteve, në drejtim të bashkëpunimit, koordinimit të hetimeve dhe shkëmbimit të shpejtë të informacionit me autoritet gjyqësore të vendeve evropiane dhe të vendeve të rajonit. Referuar të dhënave nga Zyra e Prokurorit Ndërlidhës Shqiptar në Eurojust, për vitin 2023, janë mbështetur nga Eurojust 5 skuadra të përbashkëta hetimore të reja, dhe 17 skuadra të përbashkëta hetimore me autoritetet gjyqësore të huaja, që vijojnë punën e nisur në vitet e mëparshme. Shqipëria ka marrë pjesë në 22 mbledhje koordinuese, si organizuese në 3 prej tyre dhe e ftuar në 19 mbledhje të organizuara nga shtete të tjera.
IV. Dekriminalizimi
Gjatë vitit 2023, nga Sektori i Dekriminalizimit është ndjekur procesi i verifikimit të thelluar të të dhënave të vetëdeklaruara në formular, në zbatim të ligjit nr. 138/2015, për 155 subjekte. Nga 91 kërkesa të reja, gjatë vitit 2023 janë regjistruar 77 procese për verifikim të thelluar në zbatim të ligjit nr. 138/2015. Këto procese, sipas organeve kompetente që kanë kërkuar verifikimin e thelluar të të dhënave të vetëdeklaruara në formularë nga subjektet, për vitin 2023, ju përkasin, 38 kërkesave të bëra nga Departamenti Administratës Publike dhe 39 të bëra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 85 procese për verifikim të thelluar nga të cilat 29 vendime janë procese të regjistruara gjatë vitit 2023 dhe 56 (pesëdhjetë e gjashtë) vendime janë procese të mbartura nga vitet 2017 – 2022.
Nga rastet për të cilat ka përfunduar procesi i verifikimit të thelluar në vitin 2023 dhe miratuar rezultati, mbështetur në nenet 69, 74 e 76 të Kodit të Procedurës Penale, për 9 persona, materiali është kaluar për kompetencë në prokuroritë përkatëse, si të dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, nga të cilat 4 janë për kërkesat e vitit 2023, 2 (dy) për kërkesat e vitit 2020 dhe 3 (tre) për kërkesat e vitit 2021. Personat që kanë rezultuar të kenë plotësuar formularin e vetëdeklarimit me të dhëna të rreme, ju përkasin kërkesave për verifikim të ardhura si vijon:
– 8 (tetë) nga Departamenti i Administratës Publike;
– 1 (një) nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
V. Zbatimi i hartës së re gjyqësore dhe përmirësimi i infrastrukturës për rritjen e eficiencës në prokurori
Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme mori të gjitha masat e nevojshme administrative në bazë të një sërë aktesh nënligjore të miratuara dhe u arrit që zbatimi i i saj të kryhej me sukses, pas asnjë problem në vijueshmërinë e punës. Gjatë kësaj faze është u koordinua dhe bashkëpunua me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Çështja kryesore që mbetet të zgjidhet në kuadër të hartës së re gjyqësore lidhet me infrastrukturën. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Pas vënies në dispozicion nga Bashkia Tiranë të një sheshi ndërtimi, do të vijohet me hartimin e projektit, por duhet të zgjidhet çështja e financimit. Për Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i është kërkuar Bashkisë Fier marrja në administrim e një godine tjetër pasi godina ekzistuese nuk i plotëson nevojat. Mbetemi në pritje të realizimit të plotë të marrëveshjes ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë për vënien në dispozicion të ambienteve akomoduese shtesë/ndërtesa ekzistuese të cilat më pas do t’i nënshtrohen rikonstruksionit dhe përshtatjes, për prokuroritë dhe gjykatat në rrethet Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambjentet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat.
Problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata po rëndohet së tepërmi. Vlerësoj se ka nevojë për ndërhyrje ligjore si dhe marrjen e masave ndërinstitucionale për sigurim të infrastrukturës që do të mundësojë ruajtjen e tyre.
Sa i përket sistemit të menaxhimit të çështjeve, është ngritur grupi i ekspertëve mbështetës për sistemin e qendërzuar të çështjeve për të siguruar mbështetje dhe koordinim sa më efektiv të prokurorisë për realizimin e këtij projekti. Është bashkërenduar puna me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe është hartuar korniza e ndërveprimit të sistemeve të reja të sistemit të drejtësisë (ku përfshihet edhe sistemi CAMS) e cila përfshin ndër të tjera ndërlidhjen e sistemeve elektronike të tyre ndërmjet tyre, por edhe me bazat e të dhënave shtetërore me protokolle informatike, për një komunikim sa më efiçent dhe të sigurtë. Ndërkohë që kemi nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e Delegacionit të BE në Shqipëri për mbështetjen prej fondeve të BE së sistemit të ri CAMS. /ZOOM.AL/
Rudina Dembacaj flet mes lotësh për divorcin: Gjykata është shumë e njohur për time bijë