zoom

Lajme

Një “gjel” në Madrid, Reali bën gati “tapetin e kuq” për Mbappe! Mediat: Lamtumirë dhe faleminderit

Në Madrid mezi po e presin dhe kanë bërë gati “tapetin e kuq” për lojtarin më të përfolur aktualisht. “Gjeli” francez Kylian Mbappe pret vetëm hedhjen e firmës me “los blancos” dhe që të zyrtarizohet nga klubi spanjoll, teksa njoftoi largimin nga PSG pas gjashtë vitesh.

“Lamtumirë dhe faleminderit”, shkruan L’Equipe në faqen e parë. “Mirupafshim”, ishte titulli kryesor i AS. Ish-kampioni dhe aktualisht nënkampioni i Botës kërkon Topin e Artë dhe fitimin e trofeut që i mungon, Champions League dhe këtë mund ta arrijë vetëm me Madridin, skuadrën e fëmijërisë së tij.

Kishte pak dyshime në lidhje me të ardhmen e tij, por tashmë është zyrtare: Kylian Mbappe do të largohet në fund të këtij sezoni nga PSG, një vendim i bërë publik nga vet ylli francez me anë të një video mesazhi:

“Gjithnjë kam thënë se do të flas me ju kur të vinte momenti. Ka ardhur koha t’iu them se ky është viti im i fundit me PSG. Nuk do të rinovoj kontratën time, aventura ime këtu do të përfundojë pas disa javësh. Këtë të diel do të luaj ndeshjen time të fundit në ‘Parkun e Princave’. Është e vështirë, nuk e kisha imagjinuar se do të ishte kaq e vështirë të largohesha nga vendi im, nga Lige 1, por pas 7 vitesh këtu kam nevojë për një sfidë të re. Jam përpjekur gjithnjë të jap më të mirën time, ju jam mirënjohës për të gjithë jetën për emocionet që kam përjetuar. Tani duhet të ngremë trofeun e fundit”, u shpreh ndër të tjera Mbappe në video mesazhin e tij.

Mbappe zbarkoi në Paris në 2017, një transferim që i kushtoi sheikut Al Khelaifi 180 milionë euro. Në 7 sezone te PSG, Mbappe realizoi 255 gola në 306 ndeshje, fitoi 6 tituj kampion, 2 kupa lige, 3 kupa të Francës dhe 4 Superkupa. Në fund të këtij sezoni, Mbappe do të transferohet te Real Madrid. /ZOOM.AL/