Aplikacion
Teksa kryeministri Edi Rama mbante këtë fjalim në ish-Metalurgjikun e Elbasanit përpara turqve të Yldirim, nëpunës e drejtues të qeverisë qendrore e lokale po u jepnin dorën e fundit dokumenteve për lejen e një kompleksi me tre Termocentrale në Roskovec.
Impiantet do të funksionojnë me gaz e mazut dhe nëpunësit që firmosën shkresat e këshilltarët bashkiakë të Roskovecit do ta kenë parë me habi fjalimin e kreut të qeverisë për mbrojtjen e mjedisit.
Ndërsa ata banorë të Roskovecit që kujtojnë se çfarë u kishte premtuar Edi Rama në fushatën zgjedhore të 2021-shit padyshim që janë ndjerë të mashtruar.
“Brenda 2-3 vitesh, kemi një projekt zhvillimi agro- bujqësor e turistik, që të bëjmë si Toskana e Italisë, zonën e Roskovecit me këto kodra piktoreske, liqene e 1000 hektarë toka pjellore”- deklaronte më 2 prill 2021 Edi Rama ngjitur majë një kodre.
Paralelisht me show mediatik të Ramës si kalorës i mbrojtjes së mjedisit, qindra banorë të Roskovecit e Dimalit po protestojnë kundër ndërtimit TEC-eve në njësinë administrative Suk-1.
“TEC-et do të shkatërrojnë 700 hektarë toka e sera, ferma blegtorale e burime ujore dhe do helmojnë jetën e 35 mijë banorëve të Suk-1, të Roskovecit e Dimalit” -shprehen ata.
Banorët thonë se pas krimit të paralajmëruar mjedisor qëndrojnë interesa financiare të njerëzve të pushtetit e klientëve të qeverisë.
Kur pas miratimit në KKT-në që drejtohet nga Rama, leja për ndërtimin e TEC-eve u miratua në Këshillin Bashkiak të Roskovecit, banorët nxorrën dy emra të njohur si personat që do të përfitojnë nga ky projekt: Engjëll Agaçi e Bashkim Ulaj.
I pari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, me origjinë nga kjo zonë, është përfolur se qëndron edhe pas një tjetër mega-afere korrutive që lidhet me mjedisin: inceneratorët.
I dyti, pronar i kompanisë Gener 2, është përfitues i dhjetëra kontratave shtetërore.
Agaçi -thonë banorët, fshihet pas kompanisë “Shkëlqimi 07” të krushkut të tij Agron Kapllanaj,
Agron Kapllanaj, ish-kryetar i Bashkisë së Ballshit, mbështetës i Lulzim Bashës, rezulton se ka marrë 56 milionë Euro tendera nga qeveria Rama. Ai ishte një prej përfutuesve të komplekseve të rindërtimit te zona “5 Maji” në Bashkinë e Tiranës.
Këshilltarët e opozitës thonë se Ulaj e ka marrë si nënkontraktor Kapllanajn për t’i kaluar Agaçit nëpërmjet kompanisë së tij 35% të fitimeve.
Banorët thonë se veç katastrofës mjedisore, ndërtimi i TEC-eve nuk sjell asnjë përfitim për ata.
Siç mëson Zoom.al, energjia e prodhuar nga TEC-et do të shkojë në Greqi, në masën 90%, ndërsa vetë Greqia ka refuzuar t’i ndërtojë ato, për shkak të rregullave të ashpra të Bashkimit Europian.
Kur “Yldirim” i kërkoi sot në prani të Ramës, ministres së Energjisë, Belinda Ballukut që të miratonte kërkesën e tij për të investuar 1 miliardë USD, Rama e Balluku u justifikuan me faktin se pengoheshin nga ligjet e BE. Por mesa duket, ligjet e BE fuksionojnë ndryshe për banorët e Roskovecit apo turqit e ish-Metalurgjikut (pas një krisje në marrëdheniet mes Ramës dhe Erdoganit) dhe ndryshe për pushtetarët e klientët e qeverisë, që jo në pak raste kompanitë e tyre i kanë përdorur për transaksione në favor të politikanëve e zyrtarëve. /Zoom.al
Rudina Dembacaj flet mes lotësh për divorcin: Gjykata është shumë e njohur për time bijë