Aplikacion
Si dhelpra qe i dha lejlekut supë në pjatë, Rilindja parlamentare i dha opozitarëve dy komisionet parlamentare, atë për sistemin TIMS dhe atë për koncesionet në shëndetësi, por përmes mazhorancës në secilin komision po pengon ne çdo hap ecurinë e hetimit deri në modifikimin thelbësor të objektit a deri në dështimin total të procesit.
Në ndihmë Rilindjes i vijnë edhe ndryshimet më të fundit ligjore në ligjin për komisionet hetimore parlamentare, bërë njëanshmërisht në fundvitin e kaluar, në ndërkohë që opozita protestonte pikërisht për mohimin e të drejtave të saj parlamentare. Kundër këtyre ndryshimeve opozita ka depozituar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë do ta shqyrtojë këtë çështje së shpejti.
Edhe pa këto ndryshime, ligji për komisionet hetimore parlamentare nuk kënaqte gërmën dhe frymën e Kushtetutës. Bërë për herë të parë në vitin 2002, komisionet hetimore nuk dallonin thuajse fare për nga organizimi dhe procedura vendimmarrëse nga komisionet e zakonshme parlamentare dhe shumica parlamentare, duke pasur gjithnjë shumicën në komision, mund ta pengonte sa herë të donte hetimin opozitar.
Në kërkesën për hetimin e zgjedhjeve 2009 mazhoranca demokrate u dakordesua për 9 nga 10 pikat hetimore të kërkuara nga opozita, duke respektuar vendimet e deriatëhershme të Gjykatës Kushtetuese e, për më tepër, i ofroi opozitës socialiste të kohës edhe mazhorancën e komisionit (krahas kryetarit që e gëzonin drejtpërdrejt nga ligji) duke ju dhënë garanci totale se hetimi opozitar nuk do të bllokohej a devijohej në proces e sipër. Socialistët zgjodhën propagandën dhe jo hetimin dhe ndonëse Kuvendi mori vendim, ai hetim nuk u krye asnjëherë për shkak të bojkotit opozitar.
Me amendimet më të fundit të ligjit mazhoranca e komisionit hetimor mund të vonojë, devijojë, pengojë e bllokojë hap-pas-hapi punën hetimore. Natyrisht që kjo ndodh kur komisioni hetimor kërkohet nga opozita sepse kur ai kërkohet nga mazhoranca ata kanë edhe kryetarin edhe mazhorancën në komision, pra edhe gurin edhe arrën, d.m.th. një asimimetri totale mundësisht hetimore në dëm të opozitës.
Me gjasa, edhe në këto kushte, kërkesa për hetim parlamentar nga opozita ka vlerë sepse, në rast se arrihet të hetohet atëherë demaskohet regjimi e në rast se regjimi nuk lejon hetimin ai vërteton natyrën e vet. Në të dy komisionet aktuale hetimore po ndodh kjo e dyta dhe pra, me pengimin hap-pas-hapi, regjimi po provon natyrën e vet të vërtetë e kjo ka në vetvete vlerë politike të lartë. Ngjarjet në të dy komisionet janë gjithashtu të dhëna e prova të dobishme në shërbim të argumentimit opozitar në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.
Kushtetuta është shumë e qartë në rastin e hetimit parlamentar kur këtë e kërkojnë të paktën 35 deputetë: komisioni ngrihet vetiu; Kuvendi është i detyruar ta miratoje ngritjen; mund të diskutohet objekti i hetimit vetëm nëse haptazi dhunon kushtetutën; mazhoranca, nëse ka kundërshti, duhet të propozojë konkretisht ndryshime në objekt por pa dëmtuar a shtrembëruar thelbin e objektit hetimor të kërkuar.
Kur Kushtetuta urdhëron se hetimi parlamentar nuk mund të pengohet në nisje, afërmendsh që ajo (nën)kupton se hetimi parlamentar nuk mund të pengohet as në vijim e as në përfundim. Ligji i mëhershëm kishte ca mjete penguese në proces, në thelb edhe ai nuk ishte në harmoni me Kushtetutën, ndërsa amendimet më të fundit i japin mazhorancës mjete penguese edhe në fillim të procesit kur krijohet komisioni, si dhe shtojnë e përforcojnë mjetet penguese, deformuese e bllokuese në proces.
Në këto rrethana zgjidhja nuk mund të jetë që në çdo hap të procesit hetimor të çdo komisioni opozita të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Edhe rrëzimi i amendamenteve me të fundit nga Gjykata Kushtetuese, nëse ndodh, nuk mjafton për ta sjellë në terezi hetimin parlamentar.
Tashmë është e qartë që nëse duam me te vërtetë hetim parlamentar në përputhje me Kushtetutën duhet një koncept tjetër komisioni dhe procesi hetimor që nuk e pengon hetimin as në fillim as në mes e as në fund. Ndaj, e vetmja zgjidhje duket se është ajo që komisioni të përbëhet, të paktën në shumicë, e pse jo edhe tërësisht, vetëm nga nismëtarët, e të drejtohet prej tyre.
Në këtë rast duhen evidentuar vetëm ato pak çështje shumë, shumë kardinale, veprime konkrete hetimore të komisionit që mund të cenonin në thelb, rëndë a pa kthim, të drejtat e subjekteve të tjera, e që domosdoshmërisht kërkojnë një mekanizëm balancues që mund t’i besohej ose pakicës bllokuese të anëtarëve të komisionit, ose një organi tjetër të Kuvendit ose gjykatës.
Në rastin e hetimit penal të prokurorisë kjo është e detyruar të marrë miratimin e gjykatës si kundërbalancë për disa veprime kardinale hetimore ndërsa është e lirë të ndërmarrë të gjitha veprimet e vendimet e tjera lirshëm në shërbim të procesit hetimor.
Diçka e ngjashme mund të adoptohet edhe në rastin e komisioneve hetimore parlamentare përkundrejt një trupe kundërbalancuese e, në fakt, çështja nuk është e komplikuar për asfare. Në hetimin parlamentar zakonisht nuk merren vendime as për masa sigurie e as vendime të tjera me peshë për cenimin në thelb, të rëndë a pa kthim të të drejtave të subjekteve. Komisioni hetimor parlamentar ka vetëm dy instrumente në dispozicion: kërkon dokumente nga institucione dhe subjekte të tjera; therret për dëshmi persona të cilët mund të shoqërohen me avokat dhe gëzojnë të gjitha të drejtat që gëzojnë në procesin penal. Kaq.
Gjithsesi, edhe nëse për ndonjë aspekt të veçantë vlerësohet se mund të shfaqet ndonjë rrezik (p.sh rreziku i daljes se sekretit shtetëror, tregtar etj apo cenimi i privatësisë për shkak të punimeve të hapura të komisionit) këto janë çështje që mund të mirërregullohen në procedurë e për të cilat mund të merren vendime kundërbalancuese ose me shumicë të cilësuar në komision duke përfshirë edhe minorancën e komisionit, ose nga një organ tjetër i vetë Kuvendit apo edhe nga vetë gjykata.
Por që komisioni hetimor parlamentar, i kërkuar nga opozita për të hetuar qeverinë e mazhorancës, të komandohet me shumicë votash nga mazhoranca parlamentare në atë komision, kjo nuk shkon asfare, as me logjikë, as me moral e as me Kushtetutë./ Zoom.al