zoom

Lajme

Ktheu të përjashtuarit, Basha denoncon Nikollën: Ke marrë peng grupin e PD! Shkresa e plotë

Kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha, depoziton padi dhe kallëzim penal ndaj kryeparlamentares Lindita Nikolla, për pranimin e revokimit të vendimeve të përjashtimit të deputetëve të Rithemelimit dhe rikthimit të tyre në grupin parlamentar, mes të cilëve edhe Gazment Bardhi.

Ai e akuzon Nikollën për “cenim të funksionimit të grupit parlamentar të PD”, “marrjen peng të tij” apo dhe “rikthimin e non gratave të shpallur nga partnerët strategjikë.

Më poshtë letra e plotë drejtuar kryeparlamentares, si dhe të gjitha selive diplomatike, por jo vetëm, pasi do jetë edhe objekt hetimi më tej.

Letra e Lulzim Bashës:

“E nderuar Znj. Nikolla

Duke filluar nga data 4 shtator, në mënyrë të përsëritur në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike dhe të Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam vënë në dijeni Kuvendin dhe Ju personalisht për ndryshimin e kryesimit të grupit parlamentar, përbërjen e këtij të fundit dhe dorëheqjen dhe emërimin e sekretarit administrativ të tij.

Në cilësinë e Kryetares së Kuvendit dhe në zbatim të nenit 16 të Rregullores së Kuvendit, Ju zonja Nikolla në seancat plenare të datave 4 shtator dhe 12 tetor keni njoftuar publikisht përmbajtjen e shkresave numër 138 prot datë 04.09.2023, 164 prot, datë 26 shtator 2023 (mbi përbërjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike) dhe numër 177 prot, datë 10 tetor 2023 (për përjashtimin e deputetit Gazment Bardhi nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike).

Pamvarësisht këtyre njoftimeve publike, njoftime të cilat passjellin edhe njohjen, pranimin dhe hyrjen në fuqi të ndryshimeve të reflektuara në to, pasqyrimit të tyre në proceverbalet e seancave plenare dhe miratimin e këtyre proceverbaleve me votë nga deputetet e Kuvendit rezulton se Ju:

Vazhdoni të konsideroni deputetin Gazment Bardhi jo vetëm pjesë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por edhe drejtues të tij. Me kërkesë të deputetit Bardhi, keni ndryshuar përbërjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në faqen e Kuvendit, duke përfshirë në këtë grup deputetë të cilët me vendime të organeve drejtuese të Partisë Demokratike janë përjashtuar nga anëtarësia në parti dhe nga grupi i saj parlamentar;

Keni shkarkuar dhe emëruar persona në cilësinë e Këshilltarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike sipas kërkesave të deputetit Bardhi, ndonëse ky i fundit e ka përfunduar anëtarësinë dhe nuk konsiderohet më pjesë e saj.

Duke marrë shkas nga veprimet Tuaja për përfshirjen në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të deputetëve të shpallur “non grata” nga partnerët strategjikë, në kundërshtim me vullnetin dhe qëndrimet politike e statore të Partisë Demokratike, vlerësojmë se Ju zonja Nikolla keni përgjegjësi personale të drejtpërdrejtë në mosfunksionimin normal dhe marrjen peng të drejtimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Duke vlerësuar se veprimet Tuaja të mësipërme përveçse si cënim i të drejtës politike dhe kushtetuese të një partie për t’u vetëorganizuar janë edhe një shkelje e dispozitave të Kodit Penal, i jemi drejtuar organeve ligjzbatuese për marrjen Tuaj në përgjegjësi penale për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” i kryer në bashkëpunim.

Ju kërkojmë që në mënyrë të menjëhershme të zbatoni detyrimet që rrjedhin nga Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat e mira parlamentare për kthimin e ligjshmërisë dhe njohjen e vullnetit të Partisë Demokratike përsa i përket ushtrimit të detyrës së Kryetarit të Grupit Parlamentar dhe të përbërjes së tij, duke respektuar në këtë formë të drejtën kushtetuese të vetëorganizimit dhe të drejtën e vendimmarrjes politike të Partisë Demokratike.

Partia Demokratike e Shqipërisë

Kryetari

Lulzim Basha”. /ZOOM.AL/