zoom

Lajme

Debate dhe akuza të forta për Amnistinë në Parlament. Alibeaj akuzon për pazar, Manja e mohon

Ka nisur me diskutime, debate dhe akuza të forta seanca parlamentare e ditës së sotme.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se amnistia e sotme që pritet të miratohet nga Parlamenti nuk është gjë tjetër vetëm se amnisti nga SPAK.

“Po miratohet një akt që shënon fundin e moralitetit politik. E di se në fundin e mandatit që gjithsecilin e vendos në sfidën e madhe nëse do të jetë më në Parlament, ndaj lënë gjithçka mënjanë se si të ruajnë karrigen e tyre. Tre produkte kanë ndodhur që kur keni arritur marrëveshjen e madhe. E treta është sot. Asnjëri këtu në këtë sallë kur bëhet fjalë për amnistinë, nuk i hapet barku për të burgosurit. I sakrifikuari i madh sot është drejtësia.

Me amnistinë që po bëni gati të votoni sot në heshtje. Sot, do jepet vota për t’i ulur dënimin 1 vit e gjysmë burrave, dy viteve grave që janë dënuar nga drejtësia e re. Ky është testi i parë i hidhur i kësaj marrëveshje. Duhet të bëni transparencë duke e kthyer në Komisionin e Ligjeve.

Këto janë testet që po i merr ky Parlament në fund, nën frikën e humbjes së mandatit dhe sidomos nën frikën e SPAK. Nuk është gjë tjetër vetëm se amnisti nga SPAK-u. Shqiptarët duhet t’u ndëshkojnë nesër të gjithëve.  Janë katër amendamente, tre prej të cilave godasin SPAK-un drejtpërdrejt”, theksoi ai.

Kurse ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja iu kthye sot demokratit Enkelejd Alibeaj sa i takon çështjes së amnistisë penale.

“E para dua të përshëndes votimin e sotëm të futjes së projektligji, që është në nder të parlamentit ta votojë. E dyta, zoti Alibeaj nuk duhet të bëni politikë me projektligjin, sepse është shumë komode të bësh politik ndërkohë që njerëz të dënuar nga drejtësia, që kushtetuta dhe ligji ua japin të drejtën të përfitojnë nga amnistia. Nuk duhet të vazhdoni të bëni politikë.

E treta, hapni sytë dhe lexoni ligjin se jeni dhe jurist. Asnjë i dënuar nga GJKKO nuk përfiton, madje janë akomoduar dhe kërkesat e opozitës për protestuesit, jo siç e kërkuar ju 2018-2020.

Kjo është e vërteta e kësaj amnistie. Kur të vijë radha për ta votuar nen për nen, ta marrin. Nuk jemi duke bërë ndonjë shpikje, zbritje dënimi, duke marrë në konsideratë që gjitha veprat që ndalohen. Po del 8 muaj në parlament sikur kemi bërë shpikje”, tha Manja.

Kundër votimit të Amnistisë në këtë gjendje drafti ishte edhe deputeti demokrat Dashnor Sula, i cili deklaroi se në fillim projektligji duhet të kalonte e diskutohej te Komisioni i Ligjeve dhe më tej në Parlament. /ZOOM.AL/