zoom

Aktualitet

“Eco Tirana” kallëzohet në SPAK, akuzohet për pabarazi në tendera dhe pastrim parash

“Eco Tirana”, një kompani koncesionare me 51% ortakëri Bashkia e Tiranës dhe 49% ortakëri kompania italiane “AGSM VERONA” me qendër në Verona, është kallëzuar në SPAK.

Kallëzimi është bërë nga një studio avokatie që kërkon që të ndiqet penalisht
administratorja e shoqërisë “Eco Tirana”, Anjeza Çapllani për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Për të njëjtat akuza kërkohet ndjekja penale edhe për kompaninë mëmë të kësaj shoqërie “AGSM Holding ALBANIA” dhe pronarin e kësaj kompanie, italianin Andrea Miglioranzi.

Në kallëzim theksohet ajo që deputetët demokratë kanë denoncuar shpesh se firma “AGSM VERONA” është biznes i grupit mafioz “Ndraghet’a”. Kompania veroneze e plehrave, sipas PD, po hetohet nga Antimafia italiane.

Studioja e avokatisë është bazuar për të bërë kallëzimin e saj ndaj “Eco Tirana” edhe në akuzat në media se kjo kompani, edhe pse merrte detyrimin që do ndryshonte gjendjen e administrimit të mbetjeve të Tiranës, nuk e bën diferencimin e mbetjeve, por vetëm i ngarkon në kamionët e saj dhe i çon grumbull te landfilli i Sharrës.

“…të njëjtin mekanizëm pune që bën shoqëria private “Fusha”, e cila pastron qytetin, e bën dhe shoqëria “Eco Tirana…”- thuhet në kallëzimin penal.